Do pyetet për 21 janarin, me dosje në dorë, Sali Berisha mbërrin në SPAK

Për herë të parë, që kur SPAK mori në dorë dosjen për krimin shtetëror të 21 janarit, Sali Berisha u paraqit sot në Prokurori për të dhënë llogari për 4 vrasjet e protestuesve në bulevard. Ish-kryeministri, që iu shmang dy herë fletëthirrjeve, u paraqit në ambientet e SPAK në orën 09:00.
Paraqitja e ish-kryeministrit në Prokurorinë e Posaçme për të dëshmuar për rolin dhe përgjegjësinë e tij për vrasjen e 4 protestuesve në bulevard nga plumbat që dolën nga kryeministria vjen pas manovrave që ai bëri me fletëthirrjet dhe akuzave ndaj drejtuesit Altin Dumani se po bën propagandë.
SPAK i dërgoi dy fletëthirrje në datat 3 dhe 7 nëntor. Pas refuzimit të së parës, SPAK ia dorëzoi të dytën në tre adresa (banesë, selinë e PD dhe Kuvend), por sërish nuk pranoi asnjërën. Të tretës nuk iu shmang dot pasi iu la në dorë nga SPAK, kur Berisha shkoi të hënën atje për aferën "Partizani".


