Vinjeta për makinat e huaja që hyjnë në Shqipëri, ndryshon skema e pagesës së rrugëve

Shqipëria po shqyrton një skemë të re për financimin e mirëmbajtjes së infrastrukturës rrugore, përmes vendosjes së vinjetës për automjetet me targa të huaja. Nisma vjen në kuadër të ndryshimeve të paralajmëruara në sistemin e taksimit të karburanteve, ku nga 1 janari 2027 parashikohet heqja e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës.
Projektligji, i propozuar nga deputeti socialist Adi Qose, parashikon që automjetet e regjistruara jashtë vendit të paguajnë për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar, ndërsa për makinat me targa shqiptare kontributi do të përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura.
Sipas propozimit, drejtuesit e automjeteve me targa të huaja do të duhet të blejnë një vinjetë përpara ose gjatë hyrjes në Shqipëri. Pagesa do të mund të kryhet në pikat kufitare, por edhe përmes platformave elektronike, përfshirë mundësinë e blerjes përpara mbërritjes në vend.
Për automjetet e lehta parashikohen disa periudha vlefshmërie, në mënyrë që pagesa të përshtatet me kohën e qëndrimit në Shqipëri. Në skemë përfshihen vinjetat ditore, 10-ditore, 30-ditore dhe vjetore.
Tarifat përfundimtare nuk janë përcaktuar ende, por projektligji vendos kufij maksimalë për secilën kategori, në raport me tarifën vjetore.
Për automjetet e lehta parashikohet që:
Vinjeta ditore të mos kalojë 9% të tarifës vjetore.
Vinjeta 7-ditore të mos kalojë 11%.
Vinjeta 10-ditore të mos kalojë 12%.
Vinjeta 30-ditore të mos kalojë 19%.
Vinjeta 60-ditore të mos kalojë 30%.
Vlerat konkrete në lekë do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, por projektligji specifikon tarifa të veçanta edhe për autobusët, ndërsa për automjetet e rënda të transportit të mallrave do të zbatohet një sistem i përkohshëm deri në fund të vitit 2029.
Sakaq, për drejtuesit shqiptarë nuk parashikohet blerja e një vinjete të veçantë në kufi apo në internet, pasi pagesa për përdorimin e rrugëve do të përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura.
Sipas propozuesve, kjo mënyrë synon të shmangë procedurat shtesë për automjetet e regjistruara në Shqipëri. Megjithatë, ndikimi financiar për qytetarët do të bëhet i qartë vetëm pasi të përcaktohen tarifat përfundimtare. Projektligji parashikon gjithashtu mundësinë e lehtësimeve ose përjashtimeve për disa kategori automjetesh, si ato elektrike, me hidrogjen, me emetime të ulëta, motomjetet dhe automjetet e regjistruara në shtetet kufitare.
Një tjetër parashikim është shmangia e pagesës së dyfishtë. Kështu, rrugët me koncesion, tunelet, urat dhe segmentet e tjera ku paguhet një tarifë e veçantë nuk do të përfshihen në skemën e vinjetës.
Për të garantuar zbatimin e sistemit, parashikohet përdorimi i kamerave dhe pajisjeve automatike për identifikimin e targave. Në këtë mënyrë do të verifikohet nëse automjetet që qarkullojnë në rrjetin rrugor kombëtar janë pajisur me vinjetë të vlefshme.
Administrimi i sistemit elektronik do t'i besohet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, ndërsa Enti Kombëtar i Operimit Rrugor do të merret me shitjen e vinjetave dhe mbledhjen e të ardhurave. Drejtuesit që do të përdorin rrugët pa vinjetën përkatëse rrezikojnë gjobë në vlerën e tarifës mujore ose 30-ditore për kategorinë e automjetit. Përveç penalitetit, ata do të duhet të blejnë edhe vinjetën.


