Do i rrëmbente vajzën për grua, si përfundoi në vrasje lidhja intime mes Prekës dhe një minorene

Aktualitet

Do i rrëmbente vajzën për grua, si përfundoi në vrasje

Rrëmbimi i një vajze të mitur dyshohet se është bërë shkak për vrasjen e të riut, Pavlin Prekës, në fshatin Guci e Re në Shkodër.

Sipas hetimeve të kryera nga Policia dhe Prokuroria e Shkodrës, viktima Pavlin Preka ka shfaqur dëshirën për të rrëmbyer vajzën e njërit prej autorëve të krimit, 43-vjeçarit Vasel Koçeku, çka solli më pas vrasjen e 20-vjeçarit Preka.

Vasel Koçeku dhe bashkëpunëtori i tij në këtë vrasje, Klaudio Lisaj, nuk kanë pranuar autorësinë e krimit, por përgjimet telefonike, sipas anëtarëve të grupit hetimor, kanë treguar të kundërtën.

Pavarësisht pretendimeve të tyre, Gjykata e Shkodrës, tre ditë më parë, vendosi të lërë në burg babain e vajzës së mitur, Vasel Koçekun, si dhe bashkëpunëtorin e tij, Klaudio Lisaj.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se Lisaj është personi që ka thirrur dhe ka nxjerrë nga shtëpia 20-vjeçarin Pavlin Preka. Ndërsa personi që e ka qëlluar dyshohet se është babai i vajzës së mitur, Vasel Koçeku.

Sipas hetimeve të kryera, vrasja dyshohet se ka si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës Pavlin Preka për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila aktualisht është 16 vjeçe.

Historia, sipas hetimeve, nis rreth tre vite më parë, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Preka 17 vjeç.

Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Vasel Koçeku, duke i thënë se nuk kishte vajzë për të martuar, pasi ishte shumë e vogël dhe duhej të ndiqte shkollën.

Megjithatë, Pavlin Preka ka vijuar të shfaqë interes dhe këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë, të cilëve u ishte shprehur se do t’ia rrëmbente vajzën Vasel Koçekut me qëllim krijimin e martesës me të.

Sipas hetimeve, dyshohet se mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re.

Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Për identifikimin e dy autorëve të vrasjes, Policisë dhe Prokurorisë së Shkodrës u janë dashur një sërë veprimesh hetimore, si përgjime dhe marrja e dhjetëra deklarimeve të personave të ndryshëm, si dhe e dy protagonistëve të këtij krimi/Shqiptarja

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion