Detaje nga ngjarja në Konispol/ Mbesa mori babin në telefon dhe e njoftoi “gjyshi ka vrarë gjyshen me sëpatë”

Ngjarja e rëndë me dy të vdekur në në fshatin Shalës në Konispol ka tronditur opinionin që në orët e para të mëngjesit.
U raportua fillimisht se 69-vjeçari Hysen Islami ka vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij 66-vjeçe, Shano Islami. Në këto momente, pasi Hysen Islami vrau gruan është konfliktuar me djalin e tij, Klement Islami i cili e ka shtyrë nga shkallët e banesës dhe për pasojë ka humbur jetën.
Detaje të tjera kanë bërë që policia të dyshojë se ka një version tjetër të ngjarjes me dy viktima në Konispol. Duke iu referuar burimeve hetimore, policia po heton dhe djalin e çiftit, shtetasin Klement Islamaj, pasi nuk përjashtohet që mund t’i ketë vrarë prindërit.
Por burime nga vendi i ngjarjes raportojnë se vrasja ka ndodhur rreth orës 06:00 pasi 69-vjeçari ka nxjerrë bagëtitë në kullotë. Kur është kthyer në banesë është konfliktuar me gruan dhe e ka goditur për vdekje me sopatë. Gjithashtu pretendimet se djali i ka vrarë prindërit hidhen poshtë, pasi 40-vjeçari Klement Islami ka qenë në kafenenë e fshatit kur është telefonuar nga fëmijët të cilët i treguan se “gjyshi ka vrarë gjyshen me sopatë”.

