Detaje nga aksidenti në Fushë-Arrëz, ky është turisti sllovak që humbi jetën! Plagoset dhe bashkëshortja

Një aksident i rëndë është shënuar mesditën e sotme në aksin rrugor Fushë Arrëz-Kryezi-Iballe, në afërsi të fshatit Kryezi. Dy turistë sllovakë, të cilët udhëtonin me motor, janë përplasur me një mjet fuoristradë.
Për pasojë, ka humbur jetën Svatos Zdenek, 63 vjeç, nga Bratislava. Ai ndodhej në motor bashkë me bashkëshorten e cila është transportuar me helikopter në spitalin e Traumës.
"Fushë Arrëz / Informacion shtesë Në vijim të informacionit të dhënë lidhur me aksidentin në fshatin Kryezi, ku shtetasi sllovak Z. S., duke drejtuar motomjetin e tij, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin R. V., dhe si pasojë është rrëzuar, ju informojmë se shtetasi sllovak Z. S. ka humbur jetën në Spitalin e Pukës, ndërsa pasagjerja në këtë motomjet, shtetasja B. T., po transportohet me helikopter në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit", njofton policia.
Nga mjeti fuoristradë nuk raportohet për persona të lënduar. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.


