Ceremoni plot emocion dhe ngjyra! Ndizen dritat e pemës e Vitit të Ri në disa qytete

Aktualitet

Ceremoni plot emocion dhe ngjyra! Ndizen dritat e pemës e Vitit të Ri

Mbrëmja e 6 dhjetorit i solli qytetit të Korçës magjinë e festave të fundvitit.

Në një ceremoni plot emocion dhe ngjyra, qyteti ndezi dekorimet festive duke shënuar kështu nisjen zyrtare të sezonit më të dashur të vitit.

Sheshi kryesor u mbush me qytetarë e vizitorë, të cilët pritën me entuziazëm numërimin mbrapsht dhe çastin kur dritat shumëngjyrëshe ndriçuan gjithë qytetin, duke krijuar atmosferën e parë të festimeve që do të shoqërojnë Korçën gjatë gjithë dhjetorit.

Në fjalën e tij, kryebashkiaku theksoi se Korça është tashmë e rezervuar plotësisht për të gjitha ditët e festave, ndërsa është përgatitur një kalendar i pasur aktivitetesh dhe një ofertë turistike tejet konkurruese deri në natën e ndërrimit të viteve. Sipas tij, qyteti do të vazhdojë të mbetet një pikë e fortë e turizmit dimëror në vend.

Mbrëmja e ndezjes së dritave u shoqërua nga një koncert festiv që i dha edhe më shumë ngrohtësi atmosferës.

Pjesëmarrja e lartë e qytetarëve ishte tregues se Korça mbetet edhe këtë vit një nga destinacionet më të kërkuara për festat e fundvitit.

Ndërsa në Lushnjë aty ku ishte vendosur dhe pema e vitit të ri janë mbledhur qindra vogëlushë dhe qytetarë që kanë marrë pjesë në ceremoninë e ndezjes së dritave.

Atmosfera festive u shoqërua me muzikë dhe aktivitete për të vegjlit edhe në Durrës, duke shënuar nisjen zyrtare të sezonit të festave në qytet.

Sheshi kryesor u mbush me qytetarë të të gjitha moshave, të cilët përjetuan fillimin e magjisë së festave mes muzikës, dekorimeve shumëngjyrëshe dhe gëzimit të përbashkët.

Edhe në Durrës Shijak, Elbasan, Fier e Shkodër, dritat u ndezën nën ritmin e muzikës festive dhe këngëve të interpretuara nga fëmijët.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion