Begaj pezullon betimin e Asim Vokshit, presidenti do të presë vendimin e Kushtetueses për ankesën e Naureda Llagamit

Aktualitet

Begaj pezullon betimin e Asim Vokshit, presidenti do të presë vendimin

Presidenti  ka vendosur të mos e betojë Asim Vokshin si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, pasi pret që Kushtetuesja të shqyrtojë në  11 nëntor në themel padinë e ish-kryetares së KLGJ-së, Naureda Llagami, për ligjshmërinë e procesit të përzgjedhjes.

Vendimi vjen pas dyshimeve serioze për tjetërsim vote gjatë mbledhjes së posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, ku u shpall fitues Asim Vokshi me 3 vota më pak se Naureda Llagami.

Në mbledhjen e të hënës, Gjykata Kushtetuese nuk ka pranuar masën e sigurisë së Llagamit, por e kaloi në gjykim themeli muajin që vjen. Mirëpo presidenti për të shmangur një dëm të pariparueshëm në emërimin në Kushtetuese, nuk e ka dekretuar gjyqtarin e Gjykatës së Lartë.


Në audion e siguruar nga mbledhja e posaçme e gjyqtarëve më 30 shtator, rezulton një regjistrim që është fshehur në procesverbalin zyrtar të Gjykatës së Lartë në lidhje me kontestimin e një vote që u shpall e pavlefshme nga komisioni i përbërë me sekretaret gjyqësore.

Në dokumentin e zbardhur mungojnë kundërshtitë si dhe ndërhyrja e kryetarit të Gjykatës, Sokol Sadushi, që i ndaloi diskutimet dhe ia la vendimmarrjen komisionit teknik.

Por pikërisht ky vendim ndryshoi rezultatin, me fitues Asim Vokshi që mori 6 vota, ndërsa Naureda Llagami edhe pse në krye të listës me 9 vota, njëra fletë votimi u konsiderua e pavlefshme, duke i mohuar asaj shumicën e nevojshme prej 3/5 të votave.

Në padi, Llagami kërkon njohjen e rezultatit në favor të saj, duke theksuar se vetëm gjyqtarët, jo sekretaret, kanë të drejtë të përcaktojnë vlefshmërinë ose jo të një vote.

Tani fjala i takon Gjykatës Kushtetuese, që më 11 nëntor duhet të vendosë jo vetëm për të plotësuar vakancën në Kushtetuese, por edhe për dinjitetin e procesit dhe besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion