Bastisën tabakinon në Milot-Lezhë, tentojnë arratinë drejt Malit të Zi, arrestohen 2 adoleshentë nga Kosova

Dy 18-vjeçarë nga Kosova janë arrestuar nga policia pas plaçkitjes së një tabakino në rrugën Milot-Lezhë gjatë orëve të natës.
Shërbimet e Policisë i lokalizuan adoleshentët ndërsa po tentonin të largoheshin drejt Malit të Zi me automjetin që përdorën për vjedhjen. Si provë materiale u sekuestrua makina e përdorur nga të rinjtë.
Ngjarja nxjerr në pah angazhimin e policisë për reagim të shpejtë dhe parandalimin e arratisë së autorëve, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të plaçkitjes vijojnë.
“Falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, pas njoftimit të marrë dje, për vjedhje në një tabakino, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i 2 autorëve të dyshuar të vjedhjes, shtetasve: A. S., 18 vjeç dhe T. I., 18 vjeç, të dy banues në Kosovë”, bëri me dije policia vendore.
Nga hetimet dyshohet se adoleshentët gjatë natës, kanë vjedhur produkte të ndryshme në një tabakino në aksin rrugor Milot-Lezhë dhe më pas kanë tentuar të largohen me automjet, drejt Malit të Zi.


