Aktivisti në protestë: SPAK duhet të arrestojë Ramën! Kontratën nuk e ka me 800 mijë votues, por me të gjithë shqiptarët!

Aktualitet

Aktivisti në protestë: SPAK duhet të arrestojë Ramën!

Një aktivist, gjatë protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, mbajti një fjalim ku kërkoi anulimin e ligjit 21/2024, shprehu mbështetje për SPAK-un dhe bëri thirrje për hetimin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas tij, ligji 21/2024 duhet të shfuqizohet, ndërsa SPAK duhet të vijojë hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

“Ajo që deri dje quhej projekti i ‘Zvernecit’. Anuloni ligjin 21/2024, që ende nuk është anuluar. Duhet t’i japim mbështetje SPAK-ut për të gjithë ministrat që ka arrestuar. E di që nuk është e mjaftueshme, por është shumë në krahasim me atë që nuk kishte ndodhur më parë, kur nuk kishim asnjë zyrtar të lartë para drejtësisë. Ajo që ka bërë SPAK nuk mjafton, por duhet të arrestojë Ramën. Arrestoni Ramën!”, u shpreh ai.

Aktivisti komentoi edhe deklaratat e kryeministrit për mandatin qeverisës, duke thënë se përgjegjësia e tij është ndaj të gjithë qytetarëve.

“Rama tha se nuk largohet nga pushteti sepse ka kontratë me 800 mijë qytetarë. Por ai ka shkelur betimin që ka bërë para Presidentit të Republikës.

Ai nuk e ka kontratën me 800 mijë votues, por me të gjithë shqiptarët që jetojnë këtu dhe në diasporë. Në fakt, kjo nuk është lajthitje e Ramës. Pa dashje ka thënë një gjë të madhe që nuk duhej ta thoshte. Ai tregoi se kujt u shërben”, deklaroi aktivisti.

Në vijim të fjalës së tij, ai pretendoi se kryeministri mbështetet nga interesa të caktuara dhe shtoi se qytetarët në protestë janë më të shumtë se ata që, sipas tij, e mbështesin.

“Ai u shërben oligarkëve, patronazhistëve dhe bandave. Ne e dimë këtë. Ka persona që kanë dëshmuar për të. Ai është më i votuari dhe zyrtarët e tij janë më të votuarit në burgje. Në këtë shesh ka edhe nga ata që e kanë votuar Ramën. Ne jemi më shumë se Rama. Ai e ka thyer kontratën. Ashtu siç ka të drejta, ka edhe detyrime”, përfundoi ai.

ME TE LEXUARAT