Aksidenti i rëndë në “Via Egnatia” ku humbën jetën tre shqiptarë, në hetim shoferi bullgar, ja për çfarë akuzohet

Aktualitet

Aksidenti i rëndë në “Via Egnatia” ku humbën

Prokuroria e Gjykatës së Shkallës së Parë në Rodopi ka ngritur akuza të rënda ndaj shoferit bullgar, i cili u përfshi në aksidentin tragjik të ndodhur mesditën e së hënës në autostradën “Egnatia Odhos”, pranë pikës së pagesës së Iasmos. Ai akuzohet për vrasje të paqëllimshme, dëmtim të rrezikshëm nga pakujdesia dhe drejtim të rrezikshëm të mjetit, pas përplasjes fatale që i mori jetën tre shtetasve shqiptarë.

Shoferi i kamionit, i cili po trajtohet në Spitalin e Përgjithshëm të Komotinit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por pas një ndërhyrjeje kirurgjikale do të paraqitet përpara hetuesit sapo gjendja shëndetësore t’ia lejojë, për të dhënë dëshminë mbi rrethanat e aksidentit.

Ngjarja ndodhi vetëm 600 metra larg sporteleve të pagesës, kur një makinë me pasagjerë shqiptarë raportohet të jetë ndalur ose të ketë lëvizur me shpejtësi shumë të ulët në korsinë e autostradës. Kamioni, që vinte nga pas, u përplas me dhunë duke shkaktuar një shpërthim të menjëhershëm dhe zjarr masiv.

Makina u përfshi tërësisht nga flakët, duke lënë të vdekur në vend tre pasagjerët shqiptarë, ndërsa një grua 49-vjeçare mbeti rëndë e plagosur. Viktima e vetme që shpëtoi nga automjeti i parë është duke u trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm të Kavalës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në këtë ngjarje u përfshi edhe një automjet i dytë, me të cilin udhëtonin të afërm të viktimave. Për fat, ata arritën të braktisnin mjetin në kohë, duke shpëtuar pa pasoja të rënda shëndetësore. Të gjithë u liruan më pas nga spitali.

Autoritetet greke vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij aksidenti shkatërrimtar, i cili ka lënë pas një tragjedi të rëndë për familjet shqiptare.

ME TE LEXUARAT