VIDEO/ Jet Ski në duart e një 12-vjeçari në Dhërmi, policia bllokon mjetin dhe i jep pronarit gjobën e "kripur"

Një 12-vjeçar është konstatuar duke drejtuar një mjet lundrues tip Jet Ski në plazhin e Dhërmiut, gjatë kontrolleve të ushtruara nga Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare.
Pas verifikimeve, pronari i mjetit u ndëshkua me gjobë prej 10 mijë lekësh të rinj dhe mjeti lundrues u bllokua për shkeljet e konstatuara.
Dhërmi
I kishte dhënë një 12-vjeçari mjetin lundrues Jet Ski, Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare ndëshkojnë me 10 mijë lekë të rinj pronarin e mjetit.
Bllokohet edhe mjeti lundrues.
Në vijim të kontrolleve intensive për garantimin e rendit dhe sigurisë në hapësirat detare, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare, përballë plazhit të Dhërmiut, konstatuan një mjet lundrues tip Jet Ski, i cili drejtohej nga një 12-vjeçar.
Menjëherë, shërbimet e Policisë Kufitare dhe Njësia Policore Detare ndaluan mjetin lundrues dhe, gjatë verifikimeve, rezultoi se drejtuesi ishte 12 vjeç, ndërsa mjeti nuk dispononte në bord dokumentacionin e detyrueshëm.
Për këto shkelje, pronari i mjetit lundrues, shtetasi M. Xh., u ndëshkua me masë administrative prej 10 mijë lekësh të rinj, si dhe u bllokua mjeti lundrues.
Policia Kufitare u bën apel qytetarëve dhe subjekteve që japin me qira mjete lundruese të mos ua besojnë, në asnjë rast, këto mjete të miturve ose personave që nuk plotësojnë kushtet ligjore për drejtimin e tyre. Drejtimi i mjeteve lundruese nga të miturit rrezikon jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe sigurinë e pushuesve dhe përdoruesve të tjerë të hapësirave detare.
Policia Kufitare vijon kontrollet e pandërprera në të gjithë vijën bregdetare, me qëllim garantimin e sigurisë në det, parandalimin e shkeljeve të perimetrit të sigurisë dhe zbatimin me përpikëri të rregullave të lundrimit.


