VIDEO/ Momenti kur përplasen dy helikopterët në Greqi, njëri prej tyre shpërthen në flakë

Janë publikuar pamjet nga momenti kur dy helikopterë u përplasën në ajër gjatë operacionit për shuarjen e flakëve në zonën e Psathës, në Greqi.
Sipas mediave greke, të dy helikopterët ishin ngritur nga aeroporti ushtarak i Elefsinës dhe po merrnin pjesë në operacionet ajrore për shuarjen e zjarrit.
Informacionet e fundit bëjnë të ditur se ekuipazhi i njërit prej helikopterëve është gjallë dhe ka arritur të komunikojë me autoritetet, ndërsa për ekuipazhin e mjetit tjetër nuk ka ende të dhëna. Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon.
Në të dy helikopterët pilotët janë me origjinë rumune, ndërsa koordinatorët e misionit janë grekë. Helikopterët ishin marrë me qira nga Shërbimi Zjarrfikës i Greqisë dhe secili kishte nga dy persona në bord.
Në vendngjarje janë dërguar katër autoambulanca të shërbimit të urgjencës dhe një njësi e lëvizshme mjekësore.


