“Fabula e dhelprës dhe rrushit”/ Udineze i përgjigjet Interit për Soletin: Nuk ia ofroj askujt

Sport

“Fabula e dhelprës dhe rrushit”/ Udineze i përgjigjet

Oumar Solet mbetet një nga emrat më të kërkuar të Udinezes në merkato, por klubi italian nuk duket i gatshëm të heqë dorë nga mbrojtësi francez. Drejtori sportiv i Udinezes, Xhanluka Nani, ka folur për tratativat e dështuara me Interin dhe ka mbrojtur fuqishëm vlerat e lojtarit të tij.

Në një reagim për situatën e Soletit, Nani përdori një shprehje nga fabula e Ezopit për “dhelprën dhe rrushin”, duke iu referuar interesimit të Interit dhe faktit që marrëveshja nuk u arrit.

“Për Soletin më vjen ndër mend fabula e Ezopit për dhelprën dhe rrushin. Nëse nuk arrin ta marrësh, atëherë thua se nuk është edhe aq i mirë”, u shpreh drejtori sportiv i Udinezes.

Nani bëri të qartë se klubi nuk ndodhet nën presion për të shitur dhe se mbrojtësi francez konsiderohet një pjesë e rëndësishme e projektit.

“Ne nuk kemi nevojë të shesim. Do të donim gjithmonë t’i mbanim lojtarët më të mirë, edhe pse ndonjëherë mundësitë e merkatos duhet të merren në konsideratë”, tha ai.

Sa i përket raportimeve për probleme fizike të Soletit, drejtori sportiv i Udinezes hodhi poshtë shqetësimet, duke sjellë statistikat e sezonit të kaluar. Sipas tij, mbrojtësi ka munguar vetëm në dy ndeshje dhe ka zhvilluar pjesën më të madhe të takimeve të plota.

“Nga 60 ndeshje ka luajtur 57, pothuajse të gjitha nga 90 minuta. Nuk e di nga ka dalë kjo histori për problemet fizike”, u shpreh Nani.

Solet është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Udinezes dhe klubi italian nuk dëshiron ta humbasë lehtësisht. Nani e cilësoi francezin një vlerë të shtuar për skuadrën dhe la të kuptohet se nëse lojtari vendos të qëndrojë, do të jetë një forcë më shumë për sezonin e ri.

ME TE LEXUARAT