Drogë në makinë dhe pa leje drejtimi, policia arreston 21-vjeçarin në Durrës

Policia e Durrësit ka arrestuar një 21-vjeçar, akuzuar për një sërë veprash penale. Fillimisht ai u konstatua që po drejtonte makinën me telefon në dorë, dhe pas kontrollit, atij iu gjetën drogë në makinë, gjithashtu, nuk kishte leje drejtimi.
“Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe rritjen e parametrave të sigurisë, kanë konstatuar në rrugën "Vëllazërimi", Durrës, drejtuesin e një mjeti që po përdorte aparatin celular. Pas ndalimit nga punonjësit e Policisë është konstatuar se drejtuesi nuk kishte leje drejtimi. Gjatë veprimeve nga punonjësit e Policisë, ky shtetas bënte lëvizje të dyshimta për të fshehur çantën e dorës. Nisur nga ky fakt, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll fizik ndaj tij dhe në mjet, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe një shkop metalik.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi K. H., 21 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".”, njofton policia.


