Cikalleshi e Sadiku: Bëjmë kthesë ndaj Izraelit

Sport

Dy sulmuesit e Kombëtares shqiptare, Sokol Cikalleshi dhe Armando Sadiku, theksuan faktin që ndeshja me Izraelin këtë të dielë është shansi më i mirë për të kthyer situatën. Ata ishin programuar nga trajneri Gianni De Biasi për të dhënë opinionet e tyre. Cikalleshi tregon mënyrën sesi Kombëtarja shqiptare mund të dalë nga kriza e rezultateve, pas 5 humbjeve radhazi dhe ndryshimi synohet prej sfidës së të dielës në Izrael.

"Kombëtarja në vitet e fundit dhe me arritjen në Europian, ka bërë ndeshje spektakolare dhe mjaft të mira. Duhet të rikujtojmë që gjithmonë rezultatet tona kanë qenë minimale. Ne jemi Kombëtare e vogël: vetëm puna në grup dhe ndihma ndaj njëri-tjetrit na çojnë aty ku arritëm. Ecuria e fundit nuk ka qenë e mirë, por kemi pasur edhe rivalë të fort si Italia dhe Spanja. Pa u justifikuar, e kemi humbur disi agresivitetin e përpara Europianit. Humbja me Luksemburgun na dogji, por kështu e ka futbolli. Ndeshja me Izraelin është perfekte për ta ndryshuar situatën. futbolli të jep shanse të tjera dhe ky është shansi ynë. Duhet të pranojmë që duhet të bëjmë më tepër brenda fushës. E kemi pranuar publikisht dhe privatisht. Si një Kombëtare e vogël në krahassim me ekipet e tjera europuiane, e kemi treguar këtë ndeshje pas ndeshje. Vetëm kështu arrijmë rezultate pozitive. Izraeli është shansi ynë më i mirë. Jam i sigurt se lojtarët do të japin më tepër se 100 për qind edhe urojmë për rezultat pozitiv", ka thënë Cikalleshi.

Ecuria e Shqipërisë në këtë elimintore nuk ka qenë shumë pozitive, por jo çdo gjë duhet hedhur poshtë sipas Sadikut, me 26-vjecarin që nuk nguron të nënvizojë se kuqezinjtë kanë zhvilluar edhe ndeshje të mira.

"Për ne është si një finale. Duhet të luajmë në grup dhe të japim më të mirën për ekipin. Duhet të shkojmë atje të marrim tre pikët sic na i morën ata ne këtu, ose më saktë sic na i vodhën se nuk mund të them që na i fituan. Do të bëjmë gjithcka për ta fituar atë ndeshje. Nuk mund të them që ata kanë një mbrojtje të pakalueshme. Ne kemi luajtur edhe përballë mbrojtjeve më të forta në Europian. Ne i respektojmë por nuk i kemi frikë, do të shkojmë në Izreal për të shënuar dhe për të marrë 3 pikët", ka thënë Sadiku.

ME TE LEXUARAT