17 nëntori, dita e vendimit për Thaçin në Hagë/ Prokuroria kërkon 6 vite burg, ja për çfarë akuzohet

Sipas aktakuzës gjatë periudhës 12 prill – 2 nëntor 2023, Thaçi dyshohet se u ka dhënë katër të akuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të shpallin më 17 nëntor, në orën 10:00, vendimin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të akuzuarve të tjerë për ndërhyrje të dyshuar te dëshmitarët në procesin gjyqësor për krime lufte ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Bëhet fjalë për një çështje të veçantë gjyqësore, në të cilën Thaçi akuzohet se ka tentuar të ndikojë në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Bashkë me ish-presidentin janë të akuzuar edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
Sipas aktakuzës gjatë periudhës 12 prill – 2 nëntor 2023, Thaçi dyshohet se u ka dhënë katër të akuzuarve informacione konfidenciale për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e tyre.
Prokuroria pretendon se Thaçi kishte bashkërenduar tri grupe të veçanta për të ndikuar te dëshmitarët në procesin për krime lufte.
Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrës, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosbindje ndaj gjykatës.
Smakaj, Kilaj dhe Fazliu përballen me nga dy akuza secili, ndërsa Kuçi akuzohet për dy raste të mosbindjes ndaj gjykatës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar gjashtë vite burg për Thaçin, si dhe që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin e mundshëm.
Të pestë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.
Më 16 shtator 2026, Thaçi u dënua me 25 vite burg në shkallë të parë në procesin e veçantë për krime lufte, ku u gjykua së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.


