14% e shqiptarëve nuk kanë akses në internet, njihuni me shtetet ku përdoret më shumë dhe më pak

Aktualitet

14% e shqiptarëve nuk kanë akses në internet, njihuni me shtetet
Aksesi në internet është kthyer në një nga elementët më të rëndësishëm të jetës moderne, duke ndikuar në mënyrën se si njerëzit komunikojnë, punojnë, informohen dhe kryejnë shërbimet e përditshme. Megjithatë, pavarësisht zgjerimit të teknologjisë, diferencat mes vendeve për sa i përket përdorimit të internetit mbeten të konsiderueshme.

Sipas të dhënave të publikuara nga Visual Capitalist, bazuar në databazën e Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), Shqipëria paraqitet me një nivel relativisht të lartë të përdorimit të internetit, ku afro 86% e popullsisë ka akses dhe e përdor atë. Të dhënat matin përqindjen e individëve që kanë përdorur internetin gjatë tre muajve të fundit. 

Në nivel europian, vendet nordike kryesojnë për përhapjen e internetit. Danimarka renditet ndër vendet me përdorimin më të lartë, me 99.8% të popullsisë, e ndjekur nga Luksemburgu me 99.1%. Ndërkohë, Bahreini, Kuvajti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë vendet ku përdorimi i internetit ka arritur praktikisht nivelin universal me 100% të popullsisë online.

Edhe vende të tjera të zhvilluara shfaqin norma të larta të përdorimit. Australia regjistron 96.1%, Shtetet e Bashkuara 94.7% dhe Kanadaja 94.4%, duke reflektuar shtrirjen e gjerë të infrastrukturës së telekomunikacionit dhe adoptimin e teknologjive digjitale.

Në anën tjetër, hendeku digjital mbetet veçanërisht i dukshëm në disa vende të Afrikës Sub-Sahariane. Në Nigeri, vetëm 41.2% e popullsisë përdor internetin, në Kenia kjo shifër zbret në 35%, ndërsa në Zambia arrin vetëm 29.7%. Situata paraqitet edhe më problematike në Afganistan, ku përdorimi i internetit vlerësohet në vetëm 16.1%.

Sipas analizës, infrastruktura e kufizuar e telekomunikacionit dhe kostot e larta të internetit celular vijojnë të jenë ndër pengesat kryesore për zgjerimin e aksesit, veçanërisht në zonat rurale. Për rrjedhojë, sfida për këto vende nuk lidhet vetëm me shtrirjen e rrjeteve, por edhe me mundësinë ekonomike të qytetarëve për të përballuar shërbimet e internetit.

Të dhënat tregojnë se, ndërsa një pjesë e botës i është afruar aksesit universal në internet, për miliona njerëz lidhja me botën digjitale mbetet ende një mundësi e kufizuar.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion