Moti në fundjavë, priten shtrëngata dhe dëborë, meteorologu tregon zonat problematike

Aktualitet

Moti në fundjavë, priten shtrëngata dhe dëborë,
Reshjet e shiut do të vijojnë të jenë të pranishme në vendin tonë edhe gjatë fundjavës, ndërsa në disa zona pritet të shoqërohen me intensitet të lartë. Paralelisht, një masë ajrore e ftohtë që zbret nga verilindja e Europës do të sjellë rënie të ndjeshme të temperaturave dhe rikthimin e reshjeve të dëborës.

Për “Ora News”, meteorologu Hakil Osmani bëri të ditur se reshjet do të përqendrohen kryesisht në jug të vendit, veçanërisht në qarqet Berat, Gjirokastër dhe Vlorë, ku priten rrebeshe të herëpashershme me intensitet të lartë. Reshje do të ketë edhe në zonat qendrore dhe veriore, por me intensitet më të ulët.

Osmani paralajmëroi se, për shkak të reshjeve të vazhdueshme, ekziston mundësia e vërshimeve të përkohshme dhe përmbytjeve lokale në disa qytete, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin. Megjithatë, sipas tij, nuk priten përmbytje masive, pasi rrebeshet intensive do të zgjasin në intervale të shkurtra kohore.

Ndryshimi i motit do të bëhet më i ndjeshëm gjatë fundjavës. Sipas meteorologut, reshjet e dëborës do të rikthehen të shtunën në mbrëmje në zonat verilindore, ndërsa në orët e para të mëngjesit të së dielës do të përfshijnë edhe juglindjen e vendit. Dëbora pritet të jetë kryesisht me intensitet të ulët dhe në zonat e thella malore, por nuk përjashtohet prekja e disa qyteteve malore.

Sa u përket temperaturave, të dielën minimumet në zonat malore pritet të zbresin në -1 deri në -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet në rang vendi nuk do të kalojnë 16 gradë Celsius. Në ditët në vijim, temperaturat minimale në zonat malore mund të zbresin deri në -4 apo -5 gradë Celsius.

Meteorologu veçoi qarqet e Kukësit, Pukës dhe zonën e Bajram Currit si ndër më të favorshmet për reshje dëbore gjatë fundjavës. Mundësi për reshje të pakta dëbore në orët e natës dhe mëngjesit të së dielës ka edhe në qytetin e Korçës.

Ndërkohë, për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut pritet që masa e ftohtë ajrore të mbërrijë më herët, duke sjellë reshje dëbore më të pranishme dhe me intensitet disi më të lartë.

Sipas Osmanit, përmirësimi i kushteve atmosferike pritet gjatë pjesës së dytë të së dielës, kur reshjet do të ndërpriten në pjesën më të madhe të territorit. Edhe java e parë e dhjetorit parashikohet të karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe intervale me diell, por me temperatura ndjeshëm më të ulëta.

PARASHIKIMI I MOTIT

Hakil Osmani: Në fakt zonat të cilat kanë pasur reshje më të konsiderueshme përgjatë 24 orëve të fundit kanë qenë kryesisht zonat, si fillim në zonat veriperëndimore, qarku i Shkodrës, i Lezhës dhe më pas ky sistem ka udhëtuar edhe në pjesën tjetër të ultësirës perëndimore, duke prekur pastaj rrebeshe herë pas here edhe intensive kryeqytetin, Durrësin dhe kanë shkuar edhe deri në zonat jugore, në qarkun e Gjirokastrës dhe të Vlorës.

Por jo vetëm 24 orët që lashë pas do t'i ketë prezentë rrebeshet e shiut, pritet që edhe ditën e sotme herë pas here të kemi prezentë rrebeshe të cilat më të fokusuara mbeten kryesisht në zonat jugore dhe pjesërisht në zonat qendrore, disi më të pakta paraqiten gjatë mesditës së sotme reshjet në zonat veriore.

Por sërish do të kemi riaktivizim të tyre gjatë orëve të mbrëmjes, do të kemi prezentë në gjysmën lindore reshje me intensitet edhe të larta.

 Por jo vetëm mbrëmja e ditës së sotme, edhe përgjatë fundjavës, dita e shtunë do të sjellë prezentë rrebeshe të shiut me intensitete edhe të larta në zonat të cilat pritet të jenë më të fokusuara këto rrebeshe intensive, do të jenë në zonat jugore, në qytete si Berati, Gjirokastra, po ashtu Vlora, Saranda pritet që herë pas here të kenë prezentë rrebeshe të shiut edhe me intensitete të larta.

Disi me reshje pak me intensitet më të ulët paraqiten në zonat veriore dhe në zonat qendrore ku vetëm herë pas here kemi këto në intervale të shkurtra kohore rrebeshet e përkohshme të shiut.

Por kjo fundjavë, në fakt duke qenë se territori shqiptar prej disa ditësh ka qenë në mbizotërimin e motit të paqëndrueshëm duke bërë që të kemi prezentë rrebeshe të shiut herë pas here edhe në formën e rrebesheve, sigurisht që mundësia për të pasur herë pas here këto përmbytje të përkohshme dhe lokale në qytetet e perëndimit ekziston, duke përfshirë këtu qytete si Shkodra, Lezha, pritet që vetëm në zona të izoluara herë pas here të kemi vërshime të përkohshme të ujit nëpër qytet. 

Por jo vetëm, edhe në zonat qendrore duke përfshirë këtu Durrësin, pjesërisht rrethinat e kryeqytetit edhe të Elbasanit. Por jo vetëm, edhe zonat jugore herë pas here, duke qenë se aty në ditët në vazhdim me reshje pritet që të jenë disi më të larta intensitetet, në qytetin dhe në qarkun e Gjirokastrës, në qarkun e Vlorës, pritet që herë pas here t'i kemi prezentë, por nuk bëhet fjalë për përmbytje të cilat të jenë masive dhe të sjellin dëme kolosale të cilat herë pas here ne i kemi parë në territorin shqiptar që ka pasur rrebeshe intensive.

Në fakt qyteti i Durrësit, siç e thatë edhe ju, ka një histori të keqe për sa i përket rrebesheve kur kemi prezentë dhe janë në formë intensive. Për fat të mirë pritet që reshjet të jenë prezentë por jo për një periudhë të gjatë të jenë me intensitete të larta, duke bërë që mundësia për përmbytje të jetë krejt lokale dhe në zona të izoluara.

Pra kemi një situatë e cila në përgjithësi është një situatë disi e favorshme për vendin tonë pasi rrebeshet intensive nuk zgjasin në kohë por janë vetëm në intervale të shkurtra kohore.


Reshje të cilat do të jenë prezentë edhe përgjatë fundjavës, kryesisht ditën e shtunë në orët e pasdites kemi një rifuqizim të tyre. Do të vijojnë të jenë prezentë në ultësirën perëndimore dhe në një pjesë të mirë të territorit shqiptar edhe përgjatë paradites së ditës së dielë prezentë rrebeshet e shiut, por kemi rikthimin e reshjeve të dëborës përgjatë fundjavës në territorin shqiptar. 

Dita e shtunë në orët e mbrëmjes sërish sjell reshje të dëborës në zonat verilindore të vendit tonë, ndërsa orët e para të mëngjesit të ditës së dielë duke qenë se kemi një tjetër rënie më të ndjeshme të temperaturave të ajrit, do të bëjë që të kemi rishfaqje të reshjeve të dëborës tashmë jo vetëm në verilindje por edhe në juglindje të vendit tonë.

Reshje të cilat do të jenë kryesisht me intensitete të ulëta dhe në zonat e thella malore. Shumë pak pritet të preken edhe qytetet kryesisht gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së dielë në qytetet e zonave malore.

 Dhe kjo vjen si pasojë e rënies së ndjeshme të temperaturave të ajrit, ku përgjatë kësaj jave kemi pasur maksimumet të cilat janë regjistruar në 20-22 gradë Celsius. Ditën e sotme presim maksimume jo më shumë se 20 gradë Celsius.

Në orët e para të mëngjesit minimumet janë regjistruar rreth 4 gradë Celsius. Dita e dielë në orët e para të mëngjesit sjell një rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit duke bërë që minimumet në qytetet e zonave malore të zbresin në -1 apo -2 gradë Celsius, duke bërë që aty të kemi konvertim të reshjeve nga reshje shiu në reshje dëbore.

Por jo vetëm, edhe në orët e mesditës kemi rënie të temperaturave të ajrit duke bërë që maksimumet të zbresin deri në vlerën 16 gradë Celsius në rang territori. Kjo vjen si pasojë e një mase ajrore të ftohtë e cila po zbret nga verilindja e kontinentit europian, do të prekë rajonin e Ballkanit duke bërë që të kemi një rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit edhe në ditët e vijuese, me minimumet të cilat në qytetet e zonave malore të zbresin edhe -4 apo -5 gradë Celsius.

Në fakt për të gjithë ata të cilët do të duan të shikojnë dëborë përgjatë kësaj fundjave, mjaft të favorshme janë qarku i Kukësit, Puka po ashtu Bajram Curri, por edhe në qarkun e Korçës në orët e vona të natës dhe orët e para të mëngjesit të ditës së dielë ekziston mundësia që në qytet herë pas here t'i kemi prezentë reshjet e pakta të dëborës.

Jo vetëm në territorin shqiptar, por edhe për vendet e rajonit, Kosova, Republika e Maqedonisë së Veriut, duke qenë se aty temperaturat e ajrit do të bien më shpejt, do të vijë më shpejt kjo masë ajrore e ftohtë, do të bëjë që edhe reshjet e dëborës të konvertohen më shpejt dhe të jenë disi më intensive se në territorin shqiptar. 

Kështu që edhe për të gjithë ata të cilët do të duan të lëvizin jashtë territorit shqiptar si në Republikën e Kosovës apo të Republikës së Maqedonisë së Veriut, reshjet e dëborës do të jenë më prezentë.

Për fat të mirë ka sinjale që pjesa e dytë e ditës së dielë sjell përmirësim të dukshëm të kushteve të motit, duke sjellë ndërprerje të reshjeve në pothuajse 90% të territorit shqiptar, duke sjellë edhe intervale të shkurtra me kthjellime.

Për sa i përket motit të qëndrueshëm, pritet që të paktën në javën e parë të dhjetorit të kemi mot të qëndrueshëm, intervale me diell, vranësirat herë pas herë do të jenë prezentë, por do të kemi rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit.

 Kjo do të thotë që dielli do të na shoqërojë me temperatura mjaft të ulëta. Minimumet të cilat në zonat malore për territorin shqiptar do të zbresin në -4, -5 gradë Celsius, në zonat e thella malore akoma edhe më të ulëta.

Por po ashtu edhe në orët e mesditës në ultësirën perëndimore pritet të kemi rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit. Pra moti i qëndrueshëm përgjatë javës së parë të dhjetorit do të na shoqërojë me temperatura mjaft të ulëta.Po, në fakt keni të drejtë pasi ditën e dielë maksimumet janë të vlerës 19 gradë Celsius dhe është dita e diel ajo e cila do të sjellë këtë rënie të ndjeshme të temperaturave të ajrit, duke mundësuar që edhe reshjet e shiut në zonat malore në vend./Ora News/

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion