Rregulla të reja për blegtorinë nga gushti 2027, çfarë duhet të dinë importuesit e viçave?

Fermat blegtorale në vend do t’u nënshtrohen rregullave të reja dhe më të rrepta për mbarështimin dhe mirëqenien e viçave, të cilat hyjnë në fuqi më 1 gusht 2027.
Përmes një urdhri të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, rishikohen standardet minimale të vendosura që prej vitit 2014, duke sjellë detyrime konkrete për fermerët sa i takon hapësirës së strehimit, ndriçimit, kushteve higjieno-sanitare, aksesit në ujë dhe mënyrës së mbajtjes së kafshëve.
Një nga risitë kryesore lidhet me projektimin e bokseve individuale. Ato nuk do të lejohen më të jenë të mbyllura me mure të plota, por duhet të kenë ndarje të hapura që u mundësojnë viçave kontakt të drejtpërdrejtë vizual dhe fizik me njëri-tjetrin. Një masë e tillë nuk zbatohet vetëm në rastet kur kafshët e sëmura duhet të mbahen të izoluara.
Sa i përket lirisë së lëvizjes, urdhri ndalon mbajtjen e viçave të lidhur. Përjashtim bëjnë vetëm viçat e rritur në grup, të cilët mund të lidhen përkohësisht, por jo më shumë se një orë, gjatë procesit të ushqyerjes me qumësht apo zëvendësues të tij.
Në urdhërin e pëcaktuar nga MBZHR thuhet se mjetet lidhëse duhet të inspektohen vazhdimisht për të garantuar që nuk u shkaktojnë dëmtime, rrezik mbytjeje apo kufizime të panevojshme kafshëve.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe kushteve të ndriçimit. Fermerët duhet të shmangin mbajtjen e viçave në errësirë të vazhdueshme, duke siguruar dritë natyrore ose artificiale. Kur përdoret ndriçimi artificial, ai duhet të jetë aktiv të paktën për një kohëzgjatje të barabartë me orarin e dritës natyrore, nga ora 09:00 deri në 17:00, ndërsa ambientet duhet të jenë mjaftueshëm të ndriçuara për të lejuar kontrollin e kafshëve në çdo moment.
Në kuadër të sigurisë shëndetësore, dokumenti parashikon pastrim dhe dezinfektim të rregullt të stallave, bokseve dhe çdo pajisjeje, me qëllim parandalimin e infeksioneve dhe vatrave të sëmundjeve.
Paralelisht, garantohet furnizimi me ujë të freskët për të gjithë viçat mbi moshën dyjavore, ndërsa gjatë ditëve me temperatura të larta apo për kafshët me probleme shëndetësore, uji i pijshëm duhet të jetë i pranishëm pa ndërprerje.
Një tjetër element që përcaktohet në këtë urdhër, prek edhe importin e viçave.
Sipas urdhrit, kafshët që importohen në Shqipëri duhet të shoqërohen me një certifikatë të lëshuar nga autoriteti kompetent i vendit të origjinës, e cila vërteton se ato janë trajtuar sipas standardeve të paktën ekuivalente me ato që zbatohen për kafshët me origjinë nga vendet e Bashkimit Evropian.


