Shqipëria, e para në Europë për fluturimet, 160% më shumë se para pandemisë

Trending
Shqipëria, e para në Europë për fluturimet, 160% më

Që pas viteve të pandemisë, Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të numrit të fluturimeve komerciale, e ndikuar nga faktorë të ndryshëm, përfshirë rritjen e interesit turistik dhe hyrjen e linjave të reja ajrore që operojnë në nivel europian. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, numri i fluturimeve komerciale që nga e njëjta periudhë para pandemisë e deri në maj të këtij viti është rritur me rreth 160%.

Në nivel rajonal, Shqipëria renditet e para për nga rritja e fluturimeve komerciale. Bosnje dhe Hercegovina mban vendin e dytë me një rritje prej 66.1%, duke u paraqitur gjithashtu me një performancë shumë të mirë. Serbia renditet e treta me një rritje prej 43.9%, ndërsa më pas vijnë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me rritje përkatësisht prej 25.3% dhe 14.4%.

Për muajin maj të këtij viti, Shqipëria vijon të mbajë vendin e parë në Europë për rritjen më të lartë të fluturimeve krahasuar me periudhën para pandemisë. Pas saj renditet Islanda me një rritje prej 124%, ndërkohë që Bosnja e Hercegovina, Serbia dhe Malta kompletojnë pesëshen e parë të vendeve me performancën më të mirë për këtë muaj.

Megjithatë, situata nuk është pozitive për të gjitha vendet e kontinentit. Disa shtete europiane kanë shënuar rënie të konsiderueshme në numrin e fluturimeve komerciale. Gjermania ka regjistruar një ulje prej 12.1%, ndërsa Finlanda, Sllovenia dhe Suedia raportojnë përqindje edhe më të mëdha të rënies, respektivisht -22.3%, -24.9% dhe -28.5%. Ndërkohë, Letonia mban vendin e fundit në renditje, me një rënie të ndjeshme prej 30.5%, duke u pozicionuar si vendi me performancën më të dobët në këtë drejtim.

Në tërësi, të dhënat tregojnë se Shqipëria jo vetëm ka tejkaluar nivelet e fluturimeve të para pandemisë, por ka kapërcyer shumë vende të zhvilluara të Europës, duke u pozicionuar si një nga destinacionet më të përparësuara për aviacionin civil dhe turizmin ndërkombëtar./Scantv

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion