Mëngjesi nis me përralla, fëmijët e Summer Smiles zhyten në botën e magjepsur të Perlës dhe Drerit të Artë

Mëngjesi i një të enjteje korriku, fëmijët e stafit të One Albania i gjeti të kredhur në një botë magjike me zana, nimfa dhe kafshë mistike. Autorja dhe aktorja e njohur Elia Zaharia, takoi të vegjlit e programit Summer Smiles për të ndarë me ta historinë e Perlës dhe Drerit të Artë.
Libri i dytë i publikuar nga Zaharia është një rrëfim ku e tashmja dhe e shkuara ndërlidhen me elegancë, në të cilën triumfon shpirti i lirë, mirësia dhe shpresa. Autorja tregoi ngjarje nga përralla teksa inkurajoi fëmijët të jenë të hapur ndaj mrekullive dhe të besonin në guximin dhe pastërtinë e zemrës së tyre për t’i udhëhequr në çdo hap të jetës.

Historia e librit Perla dhe Dreri i Artë është e vendosur në një principatë ku njerëzit, kafshët, zanat e malit dhe nimfat e ujit jetonin të lumtur e në harmoni me natyrën. Ushtri të shumta përpiqeshin ta pushtonin, por nuk ia kishin dalë mbanë. Por një ditë, një pasha lakmitar dhe i lig arriti ta sundojë, duke e kthyer principatën në një vend të zymtë dhe pa gjallëri. Mes aventurash e sprovash, Perla, së bashku me drerin e saj të artë, do i rikthejnë banorëve lirinë, diellin dhe shpresën.
Fëmijët u përfshinë me shumë kureshtje, pyetje dhe entuziazëm në rrëfim. Ky takim ishte pjesë e Summer Smiles, programit veror të One Albania për anëtarët e ekipit të saj dhe familjet e tyre. Ky kamp veror është një mënyrë kuptimplote për t'i afruar prindërit dhe fëmijët, duke u ofruar atyre një hapësirë për t'u lidhur, për të mësuar dhe për të luajtur gjatë muajve të verës. Summer Smiles ofron seanca të mbushura me lojëra dhe aktivitete kreative dhe edukative.
Me grupe të ndara me kujdes sipas moshës dhe vëmendje të veçantë ndaj sigurisë, ushqyerjes dhe nevojave mjekësore, kampi veror sjell hare për fëmijët dhe qetësi për prindërit.
Programe si ai i Summer Smiles pasqyrojnë vlerat e kompanisë One Albania, ku mirëqenia, familja dhe lumturia e stafit jo vetëm që respektohen, por inkurajohen. Hapësira e punës është një komunitet ku ekipi ndihet i mbështetur në çdo sferë, duke garantuar progres profesional, por edhe një balancim të mirë me jetën familjare.


