Trafikimi i emigrantëve Shqipëri-Greqi, asgjësohet rrjeti kri'minal, 10 të arrestuar, 500 emigrantë të trafikuar dhe 750 mijë euro fitime

Një rrjet i madh i trafikimit të emigrantëve, që vepronte përmes territorit shqiptar drejt Greqisë, është asgjësuar orët e fundit nga policia greke në bashkëpunim me Europolin.
Gjatë një operacioni të zhvilluar në Selanik dhe në rajonin e Thesprotisë, pranë kufirit me Shqipërinë, u arrestuan dhjetë persona, mes tyre edhe një grua 33-vjeçare nga Shqipëria. Shtatë nga të arrestuarit janë shtetas grekë dhe dy të tjerë sirianë.
Sipas policisë, rrjeti vepronte të paktën që nga qershori i vitit 2025 dhe kishte organizuar 41 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, duke trafikuar mbi 500 emigrantë, kryesisht nga Nepali, Jemeni dhe Kina.
Emigrantët kalonin në këmbë përmes shtigjeve të vështira malore nga Shqipëria drejt Greqisë siç duket edhe ne pamjet që ka siguruar policia nëpërmjet dronëve me kamera. Në zonën kufitare të Thesprotisë, anëtarët e rrjetit i strehonin përkohësisht në banesa apo çadra të improvizuara, duke u shitur ushqime, ujë dhe karta telefoni me çmime tepër të larta.
Më pas organizohej transporti i tyre drejt Athinës, Patrës dhe zonave bujqësore të Peloponezit, ku shumë prej tyre përfundonin duke punuar pa sigurime dhe dokumente të rregullta. Në disa raste, trafikantët u mbanin pasaportat emigrantëve derisa të shlyenin, përmes punës, borxhin e krijuar për transportin e tyre.
Fitimet e paligjshme të organizatës përllogariten në të paktën 750 mijë euro. Gjatë operacionit u arrestuan edhe 21 emigrantë pa dokumente të rregullta qëndrimi, ndërsa u sekuestruan automjete, telefona, para dhe pasaporta.
Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikimit.


