Hackerat godasin Microsoft, sulm kibernetik masiv ndaj SharePoint

Gjiganti i teknologjisë Microsoft ka dhënë një paralajmërim urgjent për përdoruesit e platformës SharePoint, e cila po përballet me një sulm të vazhdueshëm nga hakerë të paidentifikuar. Platforma e përdorur gjerësisht nga institucione qeveritare, kompani dhe organizata në mbarë botën është në qendër të një sulmi që synon rrjetet e brendshme dhe të dhënat konfidenciale.
Sulmuesit kanë shfrytëzuar një dobësi “zero-day” — një cenueshmëri e panjohur më parë — për të penetruar sistemin, duke u shtirur si përdorues apo sisteme të besuara. Pas hyrjes, hakerët mund të vjedhin të dhëna, të falsifikojnë dokumente dhe të shkaktojnë ndërprerje serioze të funksionimit të organizatave.
Sipas Microsoft, sulmet janë identifikuar si të përhapura globalisht dhe synojnë në mënyrë të veçantë struktura në SHBA, megjithatë nuk janë publikuar ende emra konkretë. Kompania ka lëshuar menjëherë masa sigurie, duke u kërkuar përdoruesve të instalojnë përditësimet e reja dhe, në disa raste, të shkëpusin serverët nga interneti – sidomos për versionet 2016 dhe 2019.
FBI është përfshirë në hetim dhe paralajmëron se dhjetëra mijë serverë në mbarë botën mund të jenë të ekspozuar. Ndërkohë, përdoruesve u kërkohet vigjilencë maksimale dhe zbatim i menjëhershëm i udhëzimeve të sigurisë.


