Shkodra nis lirimin e hapësirave publike

Pas Tiranës, edhe Bashkia e Shkodrës ka nisur këtë të hënë një aksion të gjerë për lirimin e hapësirave publike, me fokus në lagjet kryesore të qytetit. Strukturat e policisë bashkiake dhe Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit ndërhynë për çmontimin e strukturave metalike të ngritura nga bizneset, të cilat nuk iu bindën thirrjes për t’i hequr vullnetarisht.
Përveç hapësirave për këmbësorët, aksioni u përqendrua edhe në 41 pika kritike ku kalimi i mjeteve të emergjencës është i pamundur për shkak të bllokimeve me gardhe metalike apo struktura betoni, disa prej të cilave të instaluara që prej 30 vitesh. Një prej këtyre rasteve u identifikua në një nga lagjet e qytetit, ku autoritetet ndërhynë për shembjen e një rrethimi që rrezikonte sigurinë e komunitetit.
Fenomeni i zaptimit të hapësirave publike nuk është i kufizuar vetëm në Shkodër. Struktura të tilla janë të përhapura thuajse në çdo qytet të vendit, ku individë të veçantë trajtojnë tokën publike si pronë private dhe ndërtojnë pa leje, duke rrezikuar sigurinë dhe duke penguar aksesin në raste emergjente. Aksione të tilla pritet të shtrihen edhe në bashki të tjera.


