Balluku: Sportelet e e‑Albania janë falas, abuzuesit do ndëshkohen

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar këtë të hënë sportelet ndihmëse të “e-Albania” në Bashkinë e Patosit, të dedikuara për qytetarët që kanë nevojë për asistencë në përdorimin e platformës online.
Gjatë vizitës, Balluku theksoi rëndësinë e këtij shërbimi si një mënyrë për të garantuar akses të barabartë për të gjithë, veçanërisht për moshat e treta dhe personat që nuk kanë pajisje elektronike. Ajo paralajmëroi ndëshkime për ata që abuzojnë me këtë sistem duke ofruar shërbime që në fakt janë falas.
“Prej kohësh kemi konstatuar që në disa zyra noterësh dhe avokatësh qytetarët, sidomos pensionistët, po paguanin për shërbime që janë krejtësisht falas përmes e-Albania-s.
Kjo është e paligjshme dhe e papranueshme,” tha Balluku. “Të gjithë duhet ta dinë që ky shërbim është falas dhe nuk ka asnjë tarifë për të marrë certifikata personale apo dokumente të tjera përmes portalit.”
Sportelet ndihmëse pritet të lehtësojnë përdorimin e platformës për kategori të ndryshme qytetarësh, duke rritur ndërgjegjësimin dhe ulur hapësirat për abuzim nga palët e treta.


