Bisedat me ChatGPT po dalin në shesh/ Ekspertët paralajmërojnë të mos ndani sekrete apo të dhëna personale

Një numër gjithnjë e më i madh përdoruesish po ekspozojnë pa dashje bisedat e tyre me inteligjencën artificiale në rrjete sociale dhe platforma publike, duke rrezikuar të dhënat personale, informacionet konfidenciale të punës dhe madje edhe identitetin.
Disa prej këtyre bisedave përmbajnë detaje të ndjeshme – nga dyshimet për partnerin, deri te diskutimet profesionale apo sekretet personale – të cilat, nëse gjenden përmes një kërkimi të thjeshtë në Google, mund të lexohen nga kushdo.
Ekspertët e sigurisë dixhitale i cilësojnë këto veprime si kërcënim real për privatësinë. Të dhënat mund të përfundojnë në duar të gabuara, duke u përdorur për mashtrime, vjedhje identiteti apo dëmtim të reputacionit të individëve apo kompanive.
Këshilla është e qartë: mos ndani asnjëherë biseda me AI që përmbajnë informacione personale, të ndjeshme apo pune. Nëse dëshironi të ndani një pjesë nga një bisedë, përdorni vetëm fragmente neutrale dhe fshini çdo të dhënë identifikuese. Gjithashtu, shmangni ndarjen e linkëve direkt të historikut – përdorni screenshot-e të redaktuara.
Në epokën e inteligjencës artificiale, mbrojtja e privatësisë mbetet përgjegjësi individuale. Sepse kur shërbimi është falas, të dhënat janë monedha më e shtrenjtë.


