SPAK përfundon hetimet për Ilir Metën, avokati: S’ka kuptim procedural për ta mbajtur në qeli

Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë, pasi SPAK ka përfunduar hetimet ndaj tij.
Avokatët e Metës kanë depozituar kërkesën pranë Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke argumentuar se pas mbylljes së hetimeve, nuk ka më kuptim ligjor që klienti i tyre të mbahet në paraburgim.
“Prokuroria ka përfunduar hetimin penal. Vijimi i masës së arrestit nuk ka më asnjë bazë procedurale,” deklaroi avokati Kujtim Cakrani pas seancës. Ai shtoi se nga hetimet nuk ka dalë asnjë fakt i ri as për çështjen CEZ-DIA, as për dosjen e lobimit të LSI në SHBA.
Kujtojmë që më 4 gusht, Ilir Metës iu komunikua zyrtarisht mbyllja e hetimeve nga SPAK për të dy dosjet e mëdha që rëndojnë mbi të. Pritet që çështja të kalojë në gjykim të zakonshëm, jo të shkurtuar, ndërsa avokatët kanë paralajmëruar një betejë të gjatë ligjore në gjykatë.


