“Të fala babës me respekt”/ Bosi i klanit libanez shkakton tërmet politik në Berlin

Në zgjedhjet në Berlin ka fituar partia e majtë DIE LINKE. Kryetare e kryeqytetit të Gjermanisë ka gjasa të bëhet Elif Eralp, një gjermane me origjinë turke. Por befas ka lindur një problem: lidhjet e së majtës me familjen Remmo nga Libani, pjesëtarët e së cilës janë bërë të pasur edhe me qindra vepra penale. Situata ka arritur deri aty, saqë prokurorët gjermanë kanë frikë nga krimi i organizuar.
Të dielën që shkoi, në Berlin u mbajtën zgjedhjet për parlamentin e qytetit me rrethinë. Siç parashikonin anketat, më së shumti vota mori partia DIE LINKE, e majta. Kryekandidatja e partisë, Elif Eralp, ka gjasa të bëhet kryetare e Berlinit. Do të ishte njeriu i parë me origjinë të huaj në krye të metropolit gjerman. Eralp u lind më 1981 në München; një vit më parë, prindërit e saj - të dy aktivistë sindikalë - ikën nga Turqia si pasojë e puçit ushtarak të kryer nga shefi i armatës Kenan Evren. Dikur kryetar i Berlinit ka qenë Willy Brandt, ikona e socialdemokracisë gjermane.
Eralp duhet të gjejë partnerë koalicioni. Në shprehje vijnë socialdemokratët dhe të gjelbrit. Por sa janë reale gjasat për koalicion? Përfaqësuesit e këtyre dy partive kanë rezerva ndaj DIE LINKE për arsyet që do përmenden në vijim të këtij teksti.
DIE LINKE është mjaft e popullarizuar në Berlin. Gati gjysma e votuesve të moshës 16 deri në 24 vjeç kanë votuar për këtë parti (43 për qind). Nuk janë vetëm të rinjtë e varfër që simpatizojnë këtë parti. Edhe fëmijët e familjeve të pasura, mbi të gjitha vajzat, e mbështesin DIE LINKE. Një nga arsyet: të rinjtë besojnë se po plaçkiten nga të pasurit, ankohen se ose nuk ka fare banesa në Berlin, ose ato që janë në dispozicion thjesht s’mund t’i paguajë një njeri normal, andaj votojnë të majtën, e cila ka një premtim sa madhështor, aq edhe absurd: shpronësimin e ndërmarrjeve të patundshmërive. Socialdemokratët kanë thënë: me neve kjo s’bëhet.
Të dielën në mbrëmje, simpatizantët e DIE LINKE u tubuan në një sallë në qarkun Neukölln në Berlin për të festuar fitoren. Me fytyrë të qeshur, Elif Eralp mbajti një fjalim para fytyrave të qeshura, mes tyre shumë gra. Eralp foli si të ishte tashmë me një këmbë në zyrën e kryetares së Berlinit.
Diku në sallë u shfaq edhe një burrë, i gjatë, me mjekër të shkurtër, nga ata tipat që më mirë është të mos e shikosh direkt në sy. Ishte Issa Remmo, në Berlin dhe mbarë Gjermaninë i njohur si shef i klanit me të njëjtin emër. Ndonëse Remmo nuk është dënuar asnjëherë nga drejtësia gjermane, për familjen e tij ekziston bindja, ka edhe fakte si dhe aktgjykime, se bukën e gojës dhe lukse të tjera i siguron kryesisht nga të ardhurat e grabitjeve të armatosura dhe shantazheve për haraç. Këto mjete pastaj familja Remmo, si çdo investitor serioz, i investon në patundshmëri - jo në Liban, por në Berlin.
Si është e mundur që shefi i një klani të tillë të shfaqet në festën e partisë që i fitoi zgjedhjet në Berlin? Partia DIE LINKE reagoi si pula pa krye dhe u arsyetua se Remmo nuk ishte i ftuar në festën partiake, por duket se Remmo e konsideronte se as që ka nevojë për ftesë - ndihej pak si në shtëpi aty. Pastaj u bënë publike detaje të tjera që kundërshtonin arsyetimin e DIE LINKE se nuk kishte asnjë lidhje me klanin Remmo. Issa Remmo deklaroi se DIE LINKE është e para parti gjermane nga e cila ndihet i mbështetur. Firas Remmo, njëri nga djemtë e kreut të klanit, publikoi në Instagram copëza nga një shkëmbim mesazhesh me deputetin e partisë DIE LINKE në Bundestag, Ferat Koçak, të zhvilluar në shkurt. Koçak i shkruante Firas Remmos t’i përcillte “përshëndetje me respekt” babait të tij. Babai - që të jetë edhe njëherë e qartë - është Issa Remmo. Deputeti Ferat Koçak u mundua të distancohet nga ky episod i jetës së tij politike, premtoi se do t’i ndriçojë krejt paqartësitë në lidhje me këtë çështje dhe hëpërhë u tërhoq nga jeta aktive publike.
Por problemi ka mbetur dhe ka të bëjë me rolin e krimit të organizuar në Berlin, i cili dominohet nga familja Remmo dhe klane të tjera arabe. E majta politike shpesh tregohet naive ndaj tyre. Në emër të luftës kundër racizmit, ajo shpesh thotë se nuk duhet të flitet për “kriminalitet klanesh”, sepse kjo na qenkësh diskriminuese. Ndërkohë, mediat gjermane shkruajnë se drejtësia në Berlin ka frikë nga krimi i organizuar.
Gazeta “Bild” njofton se informatorë nga mafia turke kanë raportuar për ekzistencën e listave të vrasjes me emra prokurorësh dhe gjyqtarësh gjermanë. Vite më parë, disa gjyqtarë u kërcënuan nga dilerët e mëdhenj të drogës dhe u vunë nën mbrojtje nga autoritetet. “Biznesmenë me origjinë turke shantazhohen nga banda kriminale, ndërsa të shtënat me armë po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Autorët në disa raste sillen ekstra me avion nga Turqia”, shkruan gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Nuk dihet sa i madh është klani Remmo, por vetëm në zonën e Berlinit, sipas hulumtimeve të SPIEGEL TV, familjes Remmo i përkasin rreth një mijë persona. Sipas DER SPIEGEL, anëtarët e parë të familjes arritën në Berlinin Perëndimor në vitet tetëdhjetë nga Libani. Ata kërkuan azil, pjesërisht disa herë radhazi, kur kërkesa refuzohej. Shumica e pjesëtarëve të familjes Remmo nuk u dëbuan, edhe pse kërkesat e tyre për azil u refuzuan. Vargu i veprave penale të familjes Remmo është i gjatë: pastrim parash, lëndime trupore, shantazh për haraç, vjedhje spektakulare. Në vitin 2018, autoritetet konfiskuan përkohësisht 77 prona të paluajtshme që ishin në pronësi të anëtarëve të familjes së madhe Remmo.
Partia DIE LINKE nuk gëzon vetëm simpatinë e një pjese të madhe të të rinjve, por edhe të personave me prejardhje të huaj, sidomos atyre me origjinë nga bota arabe. Ata e mbështesin këtë parti edhe për shkak se ajo tregohet mjaft tolerante ndaj antisemitizmit. Ndërsa veprimet e qeverisë së Izraelit në Gaza mund të kritikohen ashpër, problemi i antisemitizmit qëndron në nxitjen e urrejtjes ndaj çdo njeriu me origjinë hebraike. Ndaj skandaleve antisemite DIE LINKE nuk ka reaguar me vendosmëri. Është problematike kur deputeti i DIE LINKE, Ferat Koçak, pas fitores së partisë së tij në Berlin u pa në një skenë pothuaj vëllazërore me Ibrahim Ibrahim, një përfaqësues i Komitetit Kombëtar Palestinez, një organizatë ombrellë për organizatat terroriste Hamas dhe PFLP në Berlin. Ibrahim e ka lavdëruar publikisht kryeterroristin e Hamasit, Jahja Sinvar, duke e quajtur “udhëheqës të palëkundur” dhe “hero martir”. Në festën e partisë DIE LINKE, Ibrahim u pa pranë kreut të klanit, Issa Remmo.


