Sulmoi 7 gra në një interval rekord, arrestohet 29-vjeçari

Një ngjarje shqetësuese ka tronditur Universitetin e Huddersfield në Britaninë e Madhe, ku shtatë gra kanë raportuar se janë sulmuar seksualisht brenda një intervali prej vetëm 30 minutash.
Sipas policisë, incidentet kanë ndodhur mbrëmjen e së martës, 10 nëntor, ndërmjet orës 18:00 dhe 18:30, pranë ambienteve universitare. Një person dyshohet se u është afruar grave dhe i ka prekur ato në mënyrë të papërshtatshme, por të shtata kanë arritur të largohen.
Pas njoftimit nga shërbimi i sigurisë së universitetit, policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi një 29-vjeçar, të dyshuar për sulme seksuale. Ai ndodhet në paraburgim për t’u marrë në pyetje.
Inspektorja Sarah Bradley deklaroi se policia e kupton shqetësimin e shkaktuar në komunitet dhe po bashkëpunon ngushtë me universitetin për mbështetjen e viktimave dhe garantimin e sigurisë së studentëve. Autoritetet kanë konfirmuar se hetimet janë në vijim dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve që disponojnë informacione të kontaktojnë policinë.


