Sulmi me armë në shtëpinë e Rihanna-s, e akuzuara përballet me burgim të përjetshëm

Gruaja e akuzuar për sulmin e armatosur në shtëpinë e këngëtares Rihanna në Kaliforni përballet me mundësinë e dënimit me burgim të përjetshëm.
Sipas “Daily Mail”, Zyra e Prokurorit të Distriktit të Los Angeles njoftoi, se Ivana Lisette Ortiz është akuzuar për tentativë vrasjeje, 10 akuza për sulm me armë dhe tre akuza për të shtëna me armë në një banesë ose shtëpi të lëvizshme.
Nëse shpallet fajtore, Ortiz mund të dënohet deri me burgim të përjetshëm.
Prokurori i Distriktit të Los Angeles, Nathan J. Hochman, deklaroi se të shtënat ndaj një banese janë një krim serioz dhe i dhunshëm, duke theksuar se çdo person duhet të ndihet i sigurt në shtëpinë e tij dhe përreth saj.
Ortiz, e cila është nga Orlando, Florida, është deklaruar e pafajshme për akuzat. Gjykata ka caktuar garancinë për lirimin e saj në 2.65 milionë dollarë, ndërsa seanca e radhës është planifikuar për 29 tetor.
Ngjarja ndodhi pasditen e 8 marsit. Ortiz dyshohet se udhëtoi me makinë drejt shtëpisë së Rihannës në Kaliforninë Jugore dhe qëlloi disa herë me një pushkë sulmi.
Në momentin e incidentit, Rihanna, 38 vjeçe, ndodhej në një rimorkio në oborrin e banesës së saj së bashku me partnerin e saj, A$AP Rocky. Tre fëmijët e çiftit ndodheshin në dhomën e tyre të gjumit, ndërsa në shtëpi ishin edhe persona të tjerë.
Sipas informacionit të bërë publik, para sulmit Ortiz kishte publikuar video në rrjetet sociale, në të cilat fliste në mënyrë agresive për Rihannën dhe shfaqte një obsesion ndaj këngëtares.


