Në Kombëtare nuk e "dëshironte", Sylvinho elozhe për Ernest Muçin: Ka cilësi për të luajtur në Premier League
Ish-trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Sylvinho është rikthyer të flasë për kombëtaren tonë dhe për futbollistët shqiptarë.
Në një intervistë për ‘Karar’ në Turqi, ish-trajneri i kombëtares ka thurur elozhe për sulmuesin e Trabzonspor dhe Kombëtares, Ernest Muçi. Edhe pse gjatë kohës që drejtonte kuqezinjtë, dukej se nuk e preferonte, në disa raste duke mos e grumbulluar e në të tjera duke mos e aktivizuar, tashmë braziliani flet ndryshe. Sylvinho ka lavdëruar sulmuesin, madje duke thënë se Muçi ka cilësitë për të qenë pjesë e klubeve në Premier League.
“Muçi është një lojtar shumë i mirë me aftësi të larta teknike. Ai gjithashtu ka një kapacitet të lartë për të shënuar gola. Ai po zhvillohet shumë dhe padyshim që ka më shumë hapësirë për t’u rritur. Kjo është shumë e rëndësishme për një lojtar. Kishte shumë konkurrencë për atë pozicion në ekipin kombëtar, por ne ishim të sigurt se ai nuk ishte vetëm një futbollist shumë i mirë, por edhe një njeri shumë i mirë. Ai ishte gjithmonë një nga lojtarët tanë më të rëndësishëm. Muçi mund të luajë në Premier League dhe nëse kjo ndodh, kjo do ta ndihmonte shumë karrierën e tij të rritej. Siç tha trajneri i Trabzonspor, edhe unë mendoj se Muçi është një lojtar i nivelit të Premier League. Besoj se ai do të arrijë nivele edhe më të larta në karrierën e tij”, tha Sylvinho.