Zjarret dalin jashtë kontrollit në Greqi, rrezikohen banesat në zonat pranë Athinës

Kosovë&Rajon

Zjarret dalin jashtë kontrollit në Greqi, rrezikohen banesat në

Greqia po përballet me disa vatra të mëdha zjarresh, të cilat kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjesh dhe tokash bujqësore, ndërsa kryeministri Kyriakos Mitsotakis paralajmëroi se vendin e presin “ditë jashtëzakonisht të vështira”.

Mitsotakis tha se zjarret po përhapen për shkak të kushteve ekstreme të motit dhe erërave që kanë arritur shpejtësinë deri në 100 km/h, duke e bërë shumë të vështirë ndërhyrjen edhe për avionët zjarrfikës.

Rreth 500 zjarrfikës po luftojnë me flakët pranë fshatit bregdetar Porto Germeno, rreth 70 kilometra në veriperëndim të Athinës, për të ndaluar përhapjen e zjarrit drejt periferisë së kryeqytetit. Ndërkohë, rreth 100 zjarrfikës janë angazhuar për shuarjen e një tjetër zjarri në Aigialia, në Peloponezin verior, ndërsa një vatër e re u shfaq edhe në ishullin Kefalonia.

Sipas Observatorit Kombëtar të Greqisë, zjarret në zonën e Gjirit të Korintit dhe Porto Germeno kanë djegur fillimisht mbi 6 500 hektarë, por vlerësimet e reja tregojnë se sipërfaqja e prekur mund të ketë kaluar 10 mijë hektarë.

Banorët e Porto Germenos dhe disa fshatrave përreth u evakuuan pasi zjarri shpërtheu të premten, ndërsa autoritetet raportojnë se dhjetëra banesa janë dëmtuar ose janë shkatërruar plotësisht.

Ekspertët paralajmërojnë se zjarri në Porto Germeno ka shumë gjasa të klasifikohet si një “megazjarr”, për shkak të përmasave të tij.

Ministri grek i Mbrojtjes Civile, Evangelos Tournas, deklaroi se shërbimet zjarrfikëse janë vënë nën presion maksimal, ndërsa erërat e forta kanë penguar edhe operacionet ajrore.

Edhe pse erërat janë dobësuar disi, autoritetet kanë paralajmëruar se zona e Athinës, Voiotia dhe ishulli Evia mbeten në rrezik shumë të lartë nga zjarret.

Greqia, ashtu si pjesa tjetër e rajonit të Mesdheut, përballet çdo verë me zjarre të mëdha për shkak të temperaturave të larta, valëve të të nxehtit dhe thatësirës, të lidhura me ndryshimet klimatike.

ME TE LEXUARAT