Dalin në shitje biletat për Shqipëri – Letoni/ Nga 1 mijë deri në 20 mijë lekë! FIFA “kyç” 20% të stadiumit

Tifozët e Kombëtares shqiptare mund të sigurojnë që nga sot biletat për ndeshjen Shqipëri – Letoni, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Sfida do të luhet më 9 shtator, në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45, por këtë herë nën masa të kufizuara.
Federata Shqiptare e Futbollit njofton se për shkak të një dënimi të FIFA-s, stadiumi nuk do të jetë në kapacitet të plotë. Rreth 20% e tij do të jetë i mbyllur për publikun. Bëhet fjalë për sektorët N101-N105, S102-S104 dhe V101-V102, të cilët do të qëndrojnë të kyçur pas sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe këngëve diskriminuese të disa tifozëve shqiptarë.
Çmimet e biletave variojnë nga 1,000 lekë deri në 20,000 lekë:
• Tribunat anësore: nga 1,000 lekë
• Pas portave: 2,000 lekë
• Tribuna karshi: nga 3,000 deri në 5,000 lekë
• Tribuna VIP: 20,000 lekë
Shitja bëhet vetëm online, ku pas regjistrimit në platformë, tifozët mund të zgjedhin tribunën, ulësen dhe të përfundojnë pagesën me kartë bankare. Bileta elektronike u dërgohet më pas në e-mail.
FSHF u kujton tifozëve rëndësinë e respektimit të rregullave, për të shmangur ndëshkime të tjera që dëmtojnë drejtpërdrejt Kombëtaren.


