Aksident i rëndë në Levan, përplasen dy automjete, 1 vdekur dhe 4 të plagosur

Një aksident i rëndë automobilistik është regjistruar paraditen e sotme, rreth orës 11:00, në rrethrrotullimin e njohur si “Rotondo e Levanit” në Fier. Dy automjete, një Volkswagen Passat dhe një Skoda Fabia, janë përplasur me forcë, duke shkaktuar një viktimë dhe disa të plagosur.
Sipas të dhënave zyrtare, mjeti me drejtues shtetasin I. P. është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi L. B., 51 vjeç, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë si pasojë e përplasjes. Nga goditja e fortë, një prej mjeteve ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor.
Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, përfshirë drejtuesin I. P. dhe tre pasagjerë të tjerë. Të lënduarit janë transportuar në spital, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forcat e Policisë dhe zjarrfikësit, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.


