Sa shpesh duhet t’i lani flokët? Ja disa këshilla nga ekspertët

Pyetja se sa shpesh duhet të lahen flokët është një dilemë e përhershme që krijon debat e konfuzion, sidomos në epokën e rrjeteve sociale ku çdo opinion shndërrohet në trend. Kujdesi për flokët po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm, por disa mite, si ai që larja e shpeshtë dëmton flokët, vazhdojnë të mbijetojnë.
Sipas ekspertes së bukurisë Naila Battel, nuk ekziston një rregull i unifikuar për të gjithë. Frekuenca e larjes varet kryesisht nga tipi i skalpit, struktura e flokëve dhe stili i jetesës. Nëse keni skalp të yndyrshëm, larja çdo një apo dy ditë është e nevojshme.
Për skalpe të thatë, dy herë në javë mjafton. Në kushte normale, çdo 2-3 ditë është ideale. Po ashtu, njerëzit që ushtrojnë shpesh apo jetojnë në zona me ndotje të lartë, mund të kenë nevojë për larje më të shpeshta.
Larja e shpeshtë nuk është e dëmshme nëse përdorni shampo të butë dhe të përshtatur për flokët tuaj. Një skalp i pastër është gjithmonë më i shëndetshëm sesa një që mbart papastërti dhe yndyrë për ditë me radhë.
Zgjedhja e shampos së duhur bazohet në analizën e skalpit: për flokët me yndyrë, nevojiten formula që rregullojnë prodhimin e sebumit; për flokët e thatë ose të trajtuar, shampo hidratuese dhe ushqyese; gjithmonë preferoni produkte me pH natyral, pa sulfate, parabene apo silikonë, që mund të dëmtojnë flokët afatgjatë.
Pas shampos, përdorimi i balsamit është thelbësor për të zbutur flokët, shpërndarë nyjet dhe mbrojtur fibrën e tyre. Për trajtime më intensive rekomandohet përdorimi i maskave hidratuese apo conditionerëve ushqyes.
Shampo e thatë mund të përdoret si ndihmë kur nuk keni kohë të laheni, pasi thith yndyrën dhe freskon flokët, por nuk zëvendëson larjen me ujë dhe duhet përdorur me masë.
Në fund, çelësi i kujdesit është të njohësh flokët dhe skalpin tuaj dhe të përdorësh produktet e duhura për nevojat specifike, pa u kapur pas miteve pa bazë.


