Gledis Nano fiton gjyqin me qeverinë, 100 mijë euro dëmshpërblim për shkarkimin e padrejtë

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar përfundimisht betejën ligjore me shtetin shqiptar pas shkarkimit të tij në vitin 2022. Vendimi është marrë nga Gjykata Administrative e Apelit, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke e cilësuar si të paligjshëm largimin nga detyra.
Ky vendim detyron qeverinë të paguajë një dëmshpërblim prej rreth 100 mijë eurosh në favor të Nanos, ekuivalenti i 60 pagave mujore, që përfaqësojnë pjesën e mbetur të mandatit 5-vjeçar, i cili iu ndërpre në mënyrë të njëanshme dhe të parakohshme.
Nano u shkarkua më 31 gusht 2022 me argumentin se nuk kishte përmbushur objektivat në krye të Policisë së Shtetit. Por gjykata ka konstatuar se ky vendim ka qenë i pabazuar ligjërisht dhe në shkelje të procedurave të emërimit dhe shkarkimit.
Vendimi tashmë është përfundimtar dhe nuk mund të apelohet më. Kjo çështje pritet të ketë jehonë edhe për mënyrën se si qeveria menaxhon funksionarët e lartë të administratës dhe respektimin e garancive ligjore për pozicionet drejtuese në institucionet shtetërore.


