Qeveria miraton Planin Kombëtar për Personat me Aftësi të Kufizuara, 7.6 miliardë lekë investime deri në 2030

Soft

Qeveria miraton Planin Kombëtar për Personat me Aftësi të

Këshilli i Ministrave ka miratuar Planin Kombëtar të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara 2026–2030, një dokument strategjik që synon të forcojë garantimin e të drejtave, përfshirjen sociale dhe jetesën e pavarur të kësaj kategorie gjatë pesë viteve të ardhshme.

I hartuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në bashkëpunim me institucionet publike, organizatat e personave me aftësi të kufizuara, shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, plani përfaqëson një angazhim të ri për ndërtimin e një shoqërie më të aksesueshme dhe më të drejtë.

Dokumenti mbështetet në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Strategjinë e Bashkimit Evropian për Personat me Aftësi të Kufizuara 2021–2030.

Plani përfshin 28 objektiva specifike, 68 masa prioritare dhe 283 ndërhyrje konkrete të buxhetuara për periudhën 2026–2030, me një fond total prej rreth 7.6 miliardë lekësh.

Ndër prioritetet kryesore janë përmirësimi i aksesueshmërisë, zhvillimi i arsimit gjithëpërfshirës, rritja e mundësive për punësim dhe formim profesional, forcimi i mbrojtjes sociale, rehabilitimit dhe shërbimeve shëndetësore, si dhe garantimi i pjesëmarrjes së plotë në jetën publike dhe politike.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme që sjell plani është kalimi nga një model i mbështetur kryesisht te përfitimet financiare drejt një qasjeje që promovon përfshirjen e plotë sociale dhe ekonomike. Në fokus do të jenë zgjerimi i shërbimeve komunitare, mbështetja e jetesës së pavarur, aksesimi i teknologjive ndihmëse dhe krijimi i më shumë mundësive për integrim në tregun e punës.

Plani parashikon gjithashtu zgjerimin e shërbimeve të rehabilitimit dhe shëndetit mendor, përmirësimin e aksesit në pajisje ndihmëse, modernizimin e arsimit gjithëpërfshirës dhe forcimin e lidhjes mes arsimit profesional dhe tregut të punës.

Sipas qeverisë, ky plan përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një sistemi më gjithëpërfshirës, ku aftësia e kufizuar nuk përbën pengesë për ushtrimin e të drejtave, pjesëmarrjen aktive në shoqëri dhe jetesën e pavarur.

ME TE LEXUARAT