“Kam frikë nga Landi…”/ Dosjet: Vrasësi i policit uzurpoi me forcë shtëpinë e kushërinjve, e ktheu në bazë kanabisi

Inside Story ka arritur të ndërtojë një historik të veprimtarisë kriminale të vrasësit të Enea Mekollit dhe plagosjes së Edison Adrit, dy policëve që ishin përfshirë në aksionin për ta arrestuar agresorin.
Janë 6 procedime penale që Braçellari ka pasur me drejtësinë shqiptare nga viti 2011 e deri në vitin 2024, kur është regjistruar i fundit. Pra, përpara se të ndodhte fatkeqësia e datës 4 qershor 2026. Organet e drejtësisë e kishin të njohur emrin e tij si një person që merrej me kultivim të lëndëve narkotike, por edhe i dhunshëm. Pavarësisht dështimeve të njëpasnjëshme të forcave operacionale për neutralizimin dhe arrestimin e tij, sërish Drejtoria e Policisë së Korçës, në mënyrë naive, zgjodhi të vepronte në mënyrë të pavarur, duke kërkuar lavdinë e drejtuesve vendorë, pa kërkuar mbështetjen e RENEA-s në terren.
“Një polici do ta ketë për vete këtë rezultat, sepse nëse do të njoftojë RENEA-n, ky sukses do t’i atribuohej Forcave Speciale RENEA. Ndaj edhe policitë lokale i mëshojnë më shumë faktit që t’i realizojnë vetë këto lloj operacionesh. Në rastin konkret, unë mendoj se nuk kanë bërë një vlerësim të saktë të autorit”, u shpreh avokati Gjergj Nikolli.
“Në rast se ndërrohen drejtuesit e kupolës së lartë të Policisë së Shtetit, të gjitha strukturat më poshtë tyre, vartësit e tyre, patjetër që shfaqin një zell të shtuar duke bërë fushata për të treguar që janë më të zotët, më punëtorët, për t’u mbajtur në punë. Kjo është një sëmundje e rrezikshme, një sëmundje e cila të çon në faktin që kriminaliteti nuk mund të luftohet me fushata, por kërkon stabilitet në luftën kundër tij”, u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
Në përballjen e parë me drejtësinë, në vitin 2011, Violand Braçellari u dënua me 5 vite burg për akuzën e “Kultivimit të narkotikëve në bashkëpunim”. Në dosjen e siguruar nga “Inside Story”, thuhej se Violand Braçellari kultivonte kanabis së bashku me Nexhip Ibrahimllarin dhe çiftin Altin dhe Denisa Pashollari.
Në vendin e quajtur “Guri i Shpuar”, në pyllin e fshatit Velçan, policia ka asgjësuar 2.512 rrënjë. Në fakt, ky vend në pyll ishte vetëm maja e ajsbergut… Është shkuar në “Sheshin e Bukur”, në pyllin e malit. Aty është evidentuar një parcelë toke me gjatësi 180 metra dhe gjerësi 100 metra, e cila ishte e mbjellë me 3.960 bimë narkotike. Në këtë parcelë gjendeshin edhe dy arka plastike, të cilat kishin bimë narkotike në gota plastike me 270 rrënjë.
Oficerët e Policisë së Korçës, në përfundim të këqyrjes, kanë numëruar gjithsej 6.472 bimë narkotike kanabis sativa. Policia arrestoi Nexhip Ibrahimllarin dhe bashkëshortët Pashollari, të cilët në deklarimet e tyre implikuan edhe Braçellarin, ose Landin, siç njihej në zonë, i cili u shpall në kërkim. Ibrahimllari tregon më pas se Braçellari ka shkuar në fillim të prillit 2011 në fshatin Velçan dhe kanë mbushur së bashku rreth 2.000 rrënjë në vazo plastike. Më pas, kur bimët u rritën, së bashku me Landin i morën dhe i mbollën në parcelën e gjetur nga policia. Sipas dëshmisë së tij, më pas nuk janë takuar më.
I pyetur për marrëdhënien e tij me Mekollin, ai ka treguar se e ka shok fëmijërie, pavarësisht se kishte 10 vite që ishte larguar nga Lozhani. Braçellari, së bashku me familjen, ishte larguar në moshën 10-vjeçare në kërkim të një jete më të mirë në Vlorë, në vitet 1992-1993. Duhet të kalonin 4 vite që emri i Braçellarit të rikthehej sërish në vëmendjen e policisë dhe autoriteteve të drejtësisë. Ai është dënuar me 10 vite burgim nga Gjykata e Korçës më 19 dhjetor 2017 nga gjyqtarët Markelian Kuqo, Genti Dakollari dhe Sonjela Voskopi për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Por, çfarë përmbante ajo dosje?
Më 29 maj 2015, rreth orës 21:00, në vendin e quajtur “Çezma e Senishtit”, është marrë njoftim në komisariat se dy automjete dyshoheshin se përdoreshin për transport droge. Efektivët e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar makinën e Haxhi Gosenit, ndërsa pas 15 minutash është afruar edhe një Mercedes-Benz me targa AA 217 ED, që drejtohej nga shtetasi Fest Suli. Pasagjerë ishin shtetasit Ylli Musaku dhe Violand Braçellari. Në kontrollin e automjetit janë gjetur 3 qese plastike të zeza për mbeturina dhe një pako me doreza kirurgjikale të bardha.
Shtetasit u shoqëruan në Komisariatin e Policisë së Korçës dhe Braçellarit iu sekuestrua telefoni BlackBerry. Në brendësi të tij u gjetën foto dhe video me lëndë të dyshuara narkotike, të mbjella, në transport dhe në proces tharjeje. Policia bëri menjëherë kontroll në banesën e shtetasit Shefqet Braçellari në Lozhan, ku strehohej Violandi, kushëri me të. Në banesën në fjalë u gjetën mbetje bimësh narkotike të thata.
“Nga peshimi i sasisë së bimës së gjetur në vendin e mësipërm ka rezultuar se ajo peshonte 10.8 gram.”
Një detaj tjetër interesant ishte kaloriferi i gjetur në dhomën ku ndodheshin mbetjet e bimëve narkotike. Nga këqyrja e faturave të energjisë shihej se gjatë muajve qershor, korrik dhe shtator kishte pasur trefishim të konsumit krahasuar me janarin, shkurtin, marsin, prillin dhe majin e vitit 2015. Një lëvizje e tillë u arsyetua me përdorimin e energjisë elektrike për tharjen e bimës. Nëna e Braçellarit i arsyetoi faturat e pazakonta të energjisë për periudhën e verës me faktin se Luani, bashkëshorti i saj, ishte mërzitur dhe kishte shkuar herë pas here të flinte në shtëpinë e kushëririt të tij, Shefqetit. Në videot e gjetura në celularin e Violand Braçellarit shfaqeshin kafshë ngarkese që transportonin bimë narkotike. Në dëshminë e Faneta Braçellarit zbulohet se banesa e tyre ishte uzurpuar me forcë nga kushërinjtë. Kjo zbulon prirjen kriminale të Violandit plot një dekadë më herët.
“Violandi është kushëriri i burrit. Kemi jetuar deri në vitin 2003 në Lozhan. E kemi shtëpinë atje, të pabanuar. Nuk ia kemi lënë kujt për ta ruajtur. Në vitin 2015 më kanë thënë se vinte Luani, i ati i Violandit, dhe mbante bagëtitë. Bëra ankesë me shkrim, duhet të ishte thirrur ai. Unë kam frikë të shkoj prej tyre. Shkova njëherë dhe kishte lidhur qentë. E kam prerë energjinë elektrike që prej vitit 2010, por ata ishin lidhur në rrjet. Përveç Luanit, babait të Violandit, nuk ka jetuar njeri”, u shpreh kushërira e Violandit, Faneta Braçellari.


