Lufta në Iran ‘trondit’ ekonominë globale, Banka Botërore: Ritmi i rritjes më i ulët që nga pandemia!

Soft

Lufta në Iran ‘trondit’ ekonominë globale, Banka

Ekonomia globale pritet të përballet me ritmin më të dobët të rritjes që nga pandemia e COVID-19, për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme. Në raportin e fundit të Bankës Botërore për “Perspektivat Ekonomike Globale”, paralajmërohet ngadalësim i aktivitetit ekonomik, inflacion më i lartë dhe kosto më të mëdha financimi. Ekonomia globale thuhet në raport do të rritet me vetëm 2.5% këtë vit, nga 2.9% që ishte vitin e kaluar.

“Parashikimet për dy të tretat e ekonomive janë ulur në krahasim me janarin e këtij viti. Rritja globale pritet të përmirësohet në 2.8% në vitin 2027, por do të mbetet 0.4 pikë përqindjeje nën mesataren e viteve 2010”, thotë Banka Botërore.

Sa i takon ekonomisë në Ballkanin Perëndimor, rritja mesatare parashikohet 2.9%, ndërsa rezultatin më pozitiv projektohet ta ketë Kosova me 3.7% dhe Shqipëria me 3.4%. Vendi me rritjen më të ulët të ekonomisë për këtë vit është Bosnja dhe Hercegovina me 2.5%.

Por të gjitha këto parashikime mund të përmbysen nëse konflikti në Iran zgjatet, dhe rritja ekonomike mund të ulet ndërsa inflacioni të rritet edhe më shumë.

Sipas raportit, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka trazuar tregjet e energjisë, pasi çmimet e naftës së papërpunuar Brent janë rritur rreth 36% në raport me 2025-ën.

Gjithashtu pritet që çmimet e plehrave të rriten këtë vit, me efekte zinxhir më pas edhe tek shtrenjtimi i ushqimeve. Për këtë arsye Banka Botërore e parashikon inflacionin në 4% për këtë vit, nga mesatarisht 3.3% në vitin e kaluar.

RRITJA EKONOMIKE BALLKANI PERËNDIMOR

Kosova 3.7%
Shqipëria 3.4%
Mali i Zi 2.9%
Maqedonia e Veriut 2.9%
Serbia 2.7%
Bosnja dhe Hercegovina 2.5%

ME TE LEXUARAT