Shqiptari që po sfidon gjigantët e AI/ Nga emigrant pa diplomë, te superkompjuteri 1.1 miliardë dollarësh

Teknologji

Shqiptari që po sfidon gjigantët e AI/ Nga emigrant pa diplomë,

Uljan Sharka, sipërmarrës me origjinë shqiptare dhe themelues i kompanisë italiane Domyn, është kthyer në një nga emrat e rëndësishëm të garës evropiane për Inteligjencën Artificiale. Kompania e tij ka siguruar rreth 1.1 miliardë dollarë financim dhe po ndërton në Itali “Colosseum”, një superkompjuter të projektuar për zhvillimin e modeleve gjigante të AI.

Sipas medias teknologjike Sifted, rreth 90% e financimit është siguruar përmes borxhit, ndërsa pjesa tjetër përmes kapitalit. “Colosseum” përdor teknologji të NVIDIA-s dhe është projektuar për trajnimin e modeleve me më shumë se 1 trilion parametra.

Ambicia e Sharkës shkon përtej biznesit privat. Në qershor, Komisioni Evropian përzgjodhi konsorciumin EUROPA, të udhëhequr nga Domyn, për projektin “Frontier AI Grand Challenge”. Synimi është krijimi i një modeli evropian të Inteligjencës Artificiale me burim të hapur, që do të mbështesë 24 gjuhët zyrtare të BE-së.

Projekti shihet si pjesë e përpjekjeve të Evropës për të ndërtuar kapacitete të pavarura në AI dhe për të reduktuar varësinë nga kompanitë amerikane dhe kineze.

Nga Apple te sipërmarrja në AI

Uljan Sharka është themelues dhe CEO i Domyn, kompani që e themeloi në vitin 2016 me emrin iGenius dhe që më vonë u riemërtua Domyn. Ai ka punuar më parë në Apple dhe ka më shumë se një dekadë përvojë në fushën e Inteligjencës Artificiale.

Domyn zhvillon modele të mëdha gjuhësore dhe sisteme AI që mund të përdoren në infrastrukturën e vetë klientëve, veçanërisht në sektorë ku të dhënat janë sensitive, si financat dhe institucionet e rregulluara.

Në gusht, revista TIME e përfshiu Sharkën në listën TIME100 AI 2026, në kategorinë e inovatorëve.

Sot, projekti “Colosseum” përfaqëson një prej ambicieve më të mëdha të Domyn për të ndërtuar infrastrukturë të avancuar evropiane për Inteligjencën Artificiale.

Nga emigracioni dhe puna në Apple, Sharka është tashmë në qendër të përpjekjeve të Evropës për të zhvilluar teknologji dhe infrastrukturë të pavarur në garën globale të AI-së.

ME TE LEXUARAT