“Sot pisllëk e korrupsion” / Ndoci analizon artin para ’90-ës: Ja pse diktatura nxori artistë dhe prodhoi filma më të mirë

Showbiz

“Sot pisllëk e korrupsion” / Ndoci analizon artin para

E kush më mirë sesa Frederik Ndoci, aktor dhe këngëtar i mirënjohur që shkëlqeu në vitet e fundit të komunizmit, mund ta bëjë dallimin e madh pas debatit që ndezi publicisti Ben Blushi?

Ndoci, në një rrëfim për “Mediat”, jep argumentet e tij pse filmat gjatë periudhës së diktaturyrës ishin më të arrirë.

“Karriera ime personale ka mbi 60 vite. Ajo e ka zanafillën që në moshën 6 vjeç. Në qytetin e lindjes për fat kishim aktivitet kombëtar (Festivalin Kombëtar për Fatosa e Pionierë). Aty kam filluar karrierën si këngëtar dhe multiartist”, thekson Frederik Ndoci.

“Për mua, në fakt, edhe vetë jeta e gjithsecilit është art në sensin e saj, edhe të përvuajtur, edhe të lumtur.”

“Nëse do të rilindesha edhe një herë, nuk do të isha aspak ky që ju vlerësoni nga larg e afër, por shumë e më shumë dimensional”, thekson Frederik Ndoci.

Ai e sheh dramatike situatën e krijuar me artin dhe artistin e vërtetë. Ndoci vëren me keqardhje se si në garë artisti po e humb betejën me pseudoartistin.

“Arti në thelb ka të bukurën, por shpesh pseudoartistë dhe despotë të paaftë, që kapin artistët, janë si marionetat dhe heshtat që shpojnë muzat e engjëjt që i sillen rrotull artistit. Dhe artisti derdh lot teksa sheh gjakun e engjëjve që duan ta mbrojnë dhe japin lehtësisht jetët e tyre.”

Frederik Ndoci si artist a mundi të fluturonte, apo ia ‘prenë krahët’ gjatë viteve të komunizmit?

Frederik Ndoci artistin e lirë dhe diktaturën rreth tij e gjen te fabula “Beauty and the Beast” (E bukura dhe bisha), ku vetëm 1/100 është domosdoshmëri: “Bisha (diktatura), sepse censuronte artistë mediokër dhe të paaftë, edhe pse rriste mjaft të paaftë që militonin dhe ishin lëpirës të diktaturës.”

Kjo është një arsye që vëren artisti i mirënjohur pse talenti që është rritur dhe ka shkëlqyer në diktaturë mbetet i jashtëzakonshëm.

“Të rritesh mes tyre dhe t’u shmangesh në mënyrë sportive plumbave dhe flakës së tyre do të thotë se do të mbetesh i pavdekshëm.” Do të mbeten të tillë sepse liria e tyre artistike triumfoi në diktaturë.

Frederik Ndoci, si multiartist i njohur gjerësisht si aktor, krijues dhe debutues në muzikë, bën një dallim të madh. Ai thotë se në komunizëm artisti përzgjidhej prej 20-30 vetash nga një komision artistik. “Praktika për disa dekada dëshmon se në art ka hyrë pisllëku e korrupsioni.” Rreth 4-5 milionë euro që është buxheti për realizimin e një filmi, sipas tij, shpërdorohen ose shkojnë në destinacion të gabuar.

Filmi i parë, kujton Frederik Ndoci, ishte roli i kitaristit te filmi i Viktor Gjikës, “Në çdo stinë”. Talenti zbulohej shpejt dhe kultivohej, çka ndoshta ka humbur vitet e fundit duke i dhënë zë mediokritetit në vend të talentit.

“Kuptohet, isha student për aktor dhe atë vit, pas deklaratës së majit me grupin ‘Na bashkoi kënga popullore’ dhe provimeve, fitova edhe kinoprovën. E kisha fituar një kinoprovë një dekadë më parë për rolin kryesor të filmit ‘Nga mesi i errësirës’, por nga biografia e errët familjare m’u hoq si rol. Më kushtoi shumë në botëkuptimin personal se kush isha dhe sa pak liri e mundësi për art kisha në sfond”, thotë Ndoci, ndërsa lidh karrierën e atyre viteve me vitet e fundit.

Frederik Ndoci, mes dy periudhave, kaloi edhe një përvojë artistike në SHBA.

“Kënaqësinë e një ëndrre pothuajse të venitur ma dha ‘Hollywood’-i në SHBA para disa vitesh. Sinqerisht më është dukur sikur më është kthyer ëndrra e asaj lumturie të venitur e aktrimit. Më pas edhe në Tiranë u bë i mundur një rol në një film grotesk kinokomedi, ‘3 herë X’!”

“Mbetet më e lehtë për ne dhe më e vështirë për publikun për të kuptuar rëndësinë e profesionalizmit dhe kujdesit që duhet treguar kur shkruan muzikën dhe tekstin e një kënge. Artisti që debuton për të marrë një trofe shpejt bie në grackën e korrupsionit.”

Debati i ndezur nëse para ’90-ës filmat ishin më cilësorë ka përfshirë gjerësisht aktorët gjatë këtyre ditëve. Por Frederik Ndoci anon nga argumenti i Ben Blushit, i cili thotë se filmat e periudhës së komunizmit, ironikisht në mungesë liri, ishin shumë herë më cilësorë se filmat e zhvilluar gjatë 30 viteve të demokracisë.

“Absolutisht, mendoj se filmat e para 1990-ës janë shumë herë më në nivel se filmat e realizuar në këto tri dekada. Pavarësisht lirisë së sotme dhe diktaturës së djeshme. Edhe sot ka filma vërtet që mund të krahasohen me ndonjë film të atëhershëm si nivel e realizim, por edhe këta filma cilësorë pas 1990-ës numërohen me gishtat e dorës.”

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion