Çfarë po ndodh realisht me Ariana Granden? Komentet rreth saj dhe vendimi për t’u larguar nga vëmendja publike

Showbiz

Në një nga periudhat më krijuese të karrierës së saj, teksa prej kohësh ka zgjeruar identitetin artistik duke u angazhuar me sukses edhe në aktrim, Ariana Grande ka marrë një vendim që pak e prisnin.

Ende pa përfunduar turneun e saj “Eternal Sunshine Tour”, këngëtarja njoftoi se pas mbylljes së tij do të tërhiqet për një periudhë nga vëmendja publike.

Vendimi vjen në një kohë kur artistja vazhdon të jetë në qendër të komenteve për pamjen e saj fizike, ndërsa shqetësimet për gjendjen e saj shëndetësore janë shtuar.

Vitet e fundit, Ariana Grande është bërë shpesh objekt diskutimesh për humbjen e ndjeshme në peshë. Pamja e saj në videoklipin më të ri ka ndezur sërish debatet në rrjetet sociale, pavarësisht se vetë këngëtarja ka kërkuar më parë që njerëzit të mos gjykojnë të tjerët, duke kujtuar se askush nuk e di çfarë po kalon një person.

Shqetësimet u intensifikuan gjatë promovimit të filmit “Wicked: For Good” në vitin 2025. Në atë periudhë, media raportuan se marrëdhënia e vështirë me ekspozimin publik kishte ndikuar në shëndetin e saj mendor, ndërsa ritmi i ngarkuar i promovimit i kishte shkaktuar stres të madh, deri në atë pikë sa, sipas raportimeve, harronte edhe të ushqehej.

Komentet u shtuan edhe më shumë pas publikimit të videoklipit të këngës “Petal” në YouTube. Në klip, Ariana shfaqet më e dobët se kurrë në rolin e një artisteje të re që kalon nga një audicion në tjetrin. Pasi refuzohet vazhdimisht, drejtuesit e studios e etiketojnë si “të papërshtatshme për tregun”, “jo tërheqëse” dhe “jo të sinqertë”, madje pretendojnë se ajo vuan nga një çrregullim personaliteti.

Çfarë po ndodh realisht me Ariana Granden? Komentet rreth saj dhe

Më pas personazhi rikthehet me një sharrë elektrike për t’u hakmarrë, ndërsa skena përfundon me duartrokitjet e grave të tjera që presin radhën për një mundësi në industrinë e argëtimit.

Megjithatë, në rrjetet sociale vëmendja nuk u përqendrua te mesazhi i videoklipit, por te pamja e artistes. Komentet ishin të shumta, me përdorues që e cilësuan paraqitjen e saj “tronditëse” dhe “zemërthyese”, ndërsa të tjerë shprehën shqetësimin për dobësinë e saj ekstreme.

Pak ditë më vonë, një përfaqësues i Ariana Grandes njoftoi se këngëtarja do të bëjë “një hap pas nga ekspozimi publik” pas përfundimit të turneut, duke argumentuar se daljet e vazhdueshme kanë sjellë një valë të pandërprerë kritikash publike.

Më pas reagoi edhe vetë Ariana Grande gjatë një koncerti në Çikago, ku iu drejtua publikut për të sqaruar arsyet e vendimit të saj.

“Kjo nuk është një vendim impulsiv apo reagim ndaj asaj që është thënë. Është diçka që e kam vendosur prej kohësh”, u shpreh ajo.

Artistja theksoi gjithashtu se kritikat për pamjen e saj nuk janë arsyeja pse po largohet përkohësisht nga vëmendja.

“Dëgjova se fansat u shqetësuan duke menduar se komentet negative më kanë lënduar, por kjo është shumë larg së vërtetës. Nuk është ky shkaku. Njerëzit kanë nevojë të vendosin kufij dhe ndonjëherë të bëjnë një pushim. Në të njëjtën kohë, kjo periudhë ka qenë dhe vazhdon të jetë përvoja më e rëndësishme profesionale dhe krijuese e jetës sime”, deklaroi ajo.

Edhe pse Ariana Grande mohoi se po largohet për shkak të kritikave, është e sigurt se rikthimi i saj do të shoqërohet sërish me komente për pamjen fizike. Shumë do të përqendrohen te fakti nëse ajo do të ketë shtuar apo humbur peshë, ndërsa projektet e saj artistike rrezikojnë të mbeten edhe një herë në plan të dytë përballë spekulimeve mbi jetën e saj personale.

ME TE LEXUARAT