Dyshohet se vodhën tubat e bakrit të gazit/ Shpërthimi tragjik në Athinë që vrau 6 persona, arrestohen tre të dyshuar

Tre hajdutë bakri, dy grekë dhe një shqiptar, shkaktuan shpërthimin vdekjeprurës në Plaka të Athinës një muaj më parë, duke rezultuar në vdekjen e gjashtë personave, mes tyre edhe tre persona me origjinë shqiptare.
Sipas mediave greke, hetimet kanë çuar në identifikimin e tre personave që dyshohet se hynë në ndërtesë disa orë para shpërthimit, me qëllim vjedhjen e materialeve prej bakri. Pamjet tregojnë ata duke hyrë në katin e tretë të ndërtesës dhe duke u larguar pak minuta më vonë, duke mbajtur me vete një pjesë tubi bakri.
Sipas të dhënave të mbledhura nga hetuesit, gjatë tentativës për të hequr tubat, personat dyshohet se dëmtuan një tub të furnizimit me gaz natyror, duke shkaktuar rrjedhje. Gazi u përhap në hapësirat e brendshme të ndërtesës dhe u grumbullua në katin e dytë, ku banonte një çift të moshuarish.
Dyshimet janë se shpërthimi ndodhi kur një prej banorëve aktivizoi një çelës, duke shkaktuar shpërthimin. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes mbeten objekt hetimi nga autoritetet greke.
Kujtojmë se shpërthimi ka ndodhur pak pas orës 07:30 të mëngjesit të së premtes në 25 shtator duke shkaktuar shembjen e ndërtesës dhe dëme të shumta në ndërtesat ngjitur dhe automjetet e parkuara.
Mes 6 personave që humbën jetën nga ky shpërthim ishin edhe Florin Hoxha, Florida Hoxha dhe Eris Cani tre persona këta me origjinë shqiptare po me shtetësi amerikane.
.


