Rama: 62 % e njerëzve në burgje janë të paraburgosur, duam më shumë ekuilibër

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar projektndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, pjesë e paketës së re të garancive procedurale në kuadër të reformës në drejtësi.
Në fjalën e tij, Rama tha se 10 vite pas nisjes së reformës, ajo ka treguar si forcën ashtu edhe dobësitë e saj, ndërsa theksoi nevojën për të vendosur më shumë ekuilibër në raportin mes pushtetit të drejtësisë dhe të drejtave të individit.
Duke iu referuar raportit më të fundit të Këshillit të Europës, Rama tha se 62% e personave në burgjet shqiptare janë të paraburgosur, ndërsa mesatarja europiane është 26%.
“Sot kemi parë forcën e reformës në drejtësi, por edhe dobësitë që dolën në pah nga përballja me realitetin. Kemi parë edhe dështime dhe deformime, por përtej çdo vështirësie dhe peripecie, barra e kthesës së madhe të reformës në drejtësi ia ka vlejtur qiranë.
10 vjet shembën kultin 100 vjeçar të pandëshkueshmërisë. 10 vjet më parë në i dorëzuam pushtetit gjyqësor shpatën e ndëshkimit, sot duam të bëjmë një hap tjetër, më modest në përmasa, duam t’i japim më shumë ekuilibër pushtetit të drejtësisë.
Ky është thelbi i paketës së re që prezantojmë sot publikisht, paketa e garancive proceduriale.
Kjo është ndërhyrja e parë që trajton në mënyrë kaq të plotë edhe organike prezumimin e pafajësisë në procesin penal", tha Rama.
Më pas ai u ndal te shifrat, kur tha se 62 për qind e të burgosurve në burgjet shqiptare, janë të paraburgosur.
“Nëse deri tani e kemi forcuar, kryesisht, krahun e peshores ku rëndon fuqia e shtetit ndaj njeriut, në këtë paketë I japim peshën që meriton, krahut ku qëndron fuqia e të drejtës së njeriut përballë shtetit. Kjo u nxit nga alarmi I Komitetit Evropian mbi torturë, që na vunë një pasqyrë rrëqethëse të drejtësisë, ku peshorja anon dukshëm nga ana represive e shtetit.
Raporti më i fundit I Këshillit të Evropës, tregon se 62 për qind në burgjet shqiptare janë të paraburgosur. Pra mbahen në burg për atë që akuzohen, jo për atë që kanë bërë. Mesatarja e Evropës ishte 26 për qind”, tha Rama.


