Puna të dielave po kthehet në normalitet, 45% e punonjësve angazhohen gjatë fundjavës
Sipas një studimi të ri, rreth 45% e punonjësve punojnë shpesh të dielave, ndërsa frika nga humbja e vendit të punës dhe ngarkesa gjatë javës po e zgjasin orarin tradicional të punës.
Për shumë punonjës zyrash, e diela është kthyer në fillimin jozyrtar të javës së punës. Referuar një raporti të kompanisë së teknologjisë Owl Labs që anketoi 2,000 persona në korrik 2026, 21% e të punësuarve punojnë gjithë ditën ose pothuajse gjithë ditën të dielave, ndërsa 24%, shpesh disa orë.
Nga pjesa tjetër, 11% kontrollojnë vetëm mesazhet, 18% punojnë rrallë të dielave dhe 26% nuk punojnë asnjëherë.
Gjashtë vjet pas pandemisë, kur puna nga shtëpia u përhap masivisht, fleksibiliteti ka sjellë edhe zbehjen e kufijve mes jetës personale e profesionale.
Sipas Microsoft-it, mesazhet e dërguara jashtë orarit tradicional të punës, nga e hëna në të premte 09:00-17:00, u rritën me 15% në vit, duke arritur mesatarisht 58 mesazhe për përdorues.
Shpërqendrimet gjatë javës e zhvendosin punën në fundjavë
Për disa punonjës, fundjava është e vetmja mundësi për të punuar pa ndërprerje. Takimet, mesazhet dhe kërkesat e vazhdueshme gjatë javës e bëjnë të vështirë përqendrimin.
Sipas të dhënave të Microsoft-it, punonjësit ndërpriten mesatarisht çdo dy minuta gjatë orarit kryesor të punës. Ndërkohë, 38% e të anketuarve nga Owl Labs shprehen të lodhur nga takimet e shumta dhe të gjata.
Frank Weishaupt, drejtues i Owl Labs, thotë se puna të dielave mund të rrisë produktivitetin, por njëkohësisht tregon se java tradicionale është mbingarkuar me aktivitete që pengojnë realizimin e detyrave.
Fleksibilitet apo më shumë punë?
Një tjetër arsye është përhapja e konceptit microshifting, që nënkupton shpërndarjen e orëve të punës në intervale të ndryshme nga orari tradicional.
Ky model u shërben veçanërisht prindërve dhe personave me përgjegjësi familjare, që mund të kompensojnë në fundjavë orët e lira të marra gjatë javës.
Megjithatë, punonjësit shqetësohen se kompanitë mund ta shfrytëzojnë fleksibilitetin për të shtuar ngarkesën, duke e kthyer punën jashtë orarit në një pritshmëri të përhershme.
Frika nga humbja e punës po zgjat orarin
Pasiguria për vendin e punës është një tjetër faktor që po i shtyn njerëzit të punojnë të dielave. Në një treg ku kompanitë po paralajmërojnë shkurtime, po kufizojnë punësimet dhe po rrisin kërkesat për përdorimin e Inteligjencës Artificiale, shumë punonjës përpiqen të tregojnë përkushtim duke punuar më gjatë.
Sipas Weishaupt-it, kalimi nga 40 në 60 orë pune në javë rrit rrezikun e rraskapitjes profesionale, pakënaqësisë dhe largimit të punonjësve.
Megjithatë, më shumë orë pune nuk garantojnë siguri më të madhe në punësim. Fakti që një drejtues sheh një punonjës aktiv në platformën e komunikimit të kompanisë të dielën, nuk do të thotë domosdoshmërisht se vendi i tij i punës është më i sigurt. /Monitor


