Protestat “mbyllin” teatrot, institucionet e artit e kulturës pezullojnë shfaqjet deri në fund të tetorit

Aktualitet

Protestat “mbyllin” teatrot, institucionet e artit e kulturës

Në një kryeqytet ku skena duhej t’i përkiste artit, vëmendjen e kanë marrë protestat. Dritat e teatrove janë fikur, ndërsa disa aktivitete kulturore kanë mbetur pezull. Tirana, që zakonisht gjallërohet nga muzika dhe arti veçanërisht në fundjavë, këto ditë po ndjek një tjetër ritëm.”

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka pezulluar shfaqjet deri në fund të tetorit. Premierat por dhe riveniet e planifikuara për këto ditë nuk do të ngjiten në skenë, ndërsa datat e reja pritet të njoftohen në vijim.

E njëjta situatë paraqitet edhe në skenat teatrore. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” ka anuluar shfaqjen “1984”, bazuar në veprën e njohur të George Orëell. Një produksion që sapo kishte nisur rrugëtimin si premierë javën e kaluar, por që u detyrua të ndërpresë takimin me spektatorët për shkak të situatës së krijuar në kryeqytet.

As Teatri Metropol nuk i ka shpëtuar këtij pezullimi. Shfaqja “Sikur të isha djalë”, është shtyrë për në datën 27 tetor, duke iu shtuar listës së aktiviteteve artistike që kanë mbetur pa një datë të përcaktuar rikthimi.

Një sinjal për rikthimin e jetës teatrore vjen edhe nga Teatri Kombëtar. Institucioni ka lajmëruar rikthimin në skenë të tragjedisë së Shekspirit, “Otello”, duke nisur nga data 28 tetor.

Por pasojat e protestave nuk kanë kursyer as spektatorët më të vegjël. Teatri i Kukullave, një nga hapësirat më të dashura për fëmijët, ka anuluar shfaqjet e fundjavës pas dëmtimeve që pësoi godina edhe gjatë protestave. Përparësi i është dhënë sigurisë së fëmijëve, ndërsa biletat e blera për shfaqjen “Aventurat e Ëinnie Pooh” do të mbeten të vlefshme për datat e ardhshme.

Edhe Cirku Kombëtar, që zhvillon aktivitetin në të njëjtën godinë, anuloi shfaqjet. Kështu, përtej skenave të mëdha, protestat kanë ndërprerë përkohësisht edhe ato momente argëtimi që zakonisht mbushin fundjavat e fëmijëve me buzëqeshje.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion