Edukatorja dhunoi 4-vjeçarin? Avokati: Kamerat nuk tregojnë dhunë, nëna goditi mësuesen para policisë

Aktualitet

Edukatorja dhunoi 4-vjeçarin? Avokati: Kamerat nuk tregojnë

Keqtrajtimi i një fëmije 4-vjeçar, i denoncuar pak ditë më parë në kopshtin nr. 10 në Fier, nuk ka ndodhur dhe pretendimet për dhunë kanë qenë të pavërteta. Kështu është shprehur avokati Ervis Hajdarmataj, sipas të cilit, nga kqyrja e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë e personelit e të fëmijëve, nuk rezulton të jetë ushtruar dhunë ndaj të miturit apo ndonjë fëmije tjetër në këtë institucion arsimor.

Sipas avokatit, edhe sanitarja që fillimisht ngriti pretendimet për dhunë, ka ndryshuar dëshminë e saj në polici, duke mohuar se ka pasur dhunë ndaj të miturit.

“Ngjarja e ndodhur këtë të hënë, më saktë pretendimi që u bë…të hënën u pretendua se ka pasur dhunë në kopshtin nr.10. Informacionin e kishte marrë nga sanitarja e këtij insitucioni. Pas ballafaqimit të palëve, sanitarja e ka mohuar se ka pasur dhunë ndaj fëmijës së mitur. Janë parë dhe kamerat e institucionit, dhe nuk ka pasur asnjë veprim dhune. Në trupin e fëmijës nuk janë vënë shenja dhune dhe vetë fëmija ka pohuar se nuk është dhunuar nga mësuesja”, tha avokati.

Avokati ka komentuar edhe përballjen e nënës së fëmijës me edukatoren, duke theksuar se ajo ka ndodhur në prani të fëmijëve, të cilët janë trembur nga situata. Sipas tij, kjo ishte e gabuar, veçanërisht pasi edukatorja është goditur në prani të efektivëve të policisë.

Çështja tashmë i ka kaluar Prokurorisë, ndërsa, sipas avokatit, sanitarja është pezulluar nga puna. Nga ana tjetër, edukatorja vijon të jetë e pezulluar deri në përfundimin e hetimeve, ndërsa fëmija vazhdon të frekuentojë kopshtin.

“Janë marrë të gjitha provat që kanë të bëjnë me atë ngjarje. Nëna ka goditur edukatoren, në sy të policisë. Hetimet vijojnë. aty nuk ka pasur dhunë me fëmijën e mitur. Sanitarja nuk është paraqitu në punë”, tha avokati.

Hajdarmataj ka apeluar që në raste të tilla sensitive të shmangen reagimet impulsive dhe të komunikohet fillimisht me drejtuesit e institucionit, me qëllim shmangien e keqkuptimeve dhe përshkallëzimit të tensioneve.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion