Policia jep detaje të reja nga sherri mes gjimnazistëve në Has, një prej tyre në gjendje të rëndë

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur këtë të premte në Krumë të Hasit, ku tre nxënës të klasës së 11-të janë përfshirë në një konflikt fizik që ka përfunduar me lëndimin e të treve. Mësohet se njëri prej adoleshentëve ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja ka ndodhur pas përfundimit të mësimit, jashtë ambienteve të gjimnazit dhe vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë Has.
Sipas dëshmive paraprake, konflikti ka nisur mes tre gjimnazistëve dhe dyshohet se ka qenë i çastit. Ende nuk dihen arsyet që çuan në përplasjen mes tyre.
Rrethanat e plota të ngjarjes mbeten për t’u sqaruar, ndërsa priten detaje të tjera lidhur me konfliktin dhe gjendjen shëndetësore të të plagosurve.
Has/Informacion paraprak
Më datë 23.10.2026, rreth orës 13:35, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, jashtë ambienteve të një bilardoje, dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, i mituri me inicialet A. G., 16 vjeç, ka goditur me mjet prerës (bixhak) tre të mitur, 16 vjeç, banues në Has dhe shokë klase me autorin e dyshuar.
Të dëmtuarit janë transportuar në Spitalin Rajonal Kukës për të marrë ndihmë mjekësore, ku dy prej tyre janë transportuar në Prizren për ndihmë mjekësore më të specializuar.
Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar autorin e dyshuar për veprime të mëtejshme procedurale. Në vijim të veprimeve, u kap dhe u shoqërua për veprime të mëtejshme procedurale edhe një 16-vjeçar, i dyshuar si përkrahës i autorit të plagosjes.
Në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar mjeti prerës (bixhak). Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.


