Vula e PD-së, Zëri i Amerikës: Bie vendimi që njohu Kuvendin e Berishës

Politikë

Vula e PD-së, Zëri i Amerikës: Bie vendimi që njohu Kuvendin

Në Shqipëri, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm vendoi sot të kthejë për rigjykim në Gjykatën e Shkallës së parë, çështjen që lidhet me konfliktin e brendshëm në Partinë Demokratike për drejtimin e kësaj force politike.

Me këtë vendim, juridikisht, strukturat drejtuese të PD-së janë ato të zgjedhura në kohën kur kjo forcë politike drejtohej nga zoti Basha, i cili në mars të vitit të kaluar dha dorëheqjen.

Kryetar i komanduar në atë kohë u caktua nënkryetari Enkelejd Alibeaj, i cili tani konsiderohet si përfaqësues i ligjshëm i PD, dhe ka të drejtën që brenda ditës së hënë të rregjistrojë këtë forcë politike në Komisionin Qendror të zgjedhjeve, për garën e pushtetit vendor më 14 maj. Ish kryeministri Sali Berisha, reagoi me tone të ashpra, pak pas shpalljes së vendimit. Ai foli për një akt, që sipas tij “synon, likuidimin e opozitës shqiptare dhe pluralizmit politik në Shqipëri”.

Në mars të vitit të kaluar, Gjykata e Tiranës, njohu si të ligjshëm Kuvendin e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, e po ashtu dhe vendimet e dala nga ky Kuvend, i cili shkarkoi të gjitha strukturat dhe figurat drejtuese të partisë së udhëhequr deri në atë kohë nga zoti Lulzim Basha. Po atë ditë, zoti Berisha dhe mbështetësit e tij morën kontrollin e selisë së partisë, pasi kishin dështuar më 8 janar të 2022, kur udhëhoqën një sulm të dhunshëm ndaj godinës, ku qëndronte zoti Basha e përkrahësit e tij.

Vendimi i Gjykatës së Tiranë, u ankimua menjëherë nga zoti Alibeaj, dhe vetëm sot pas gati një viti, çështja u mor në shqyrtim. Përfaqësuesit e zotit Berisha kërkuan nga gjykata e Apelit, mospranimin e ankimit per shkak se sipas tyre zoti Alibeaj nuk legjitimohet për një akt të tillë, ose në alternativë, të pushojë ankimimin si të pabazuar në ligj dhe prova.

Nga ana e tyre përfaqësuesit e zotit Alibeaj kërkuan prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës, dhe pushimin e çështjes ose në alternativë prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim.

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili ishte në sallën e gjyqit, deklaroi menjëherë pas vendimit se sipas tij bëhej fjalë për “një vendim për përjashtimin e opozitës nga zgjedhjet, nuk ka asnjë interpretim tjetër. Eshtë një vendim, i cili haptazi ka thyer çdo rregull që deri më sot ka vendosur jo vetëm legjislatori por dhe jurisprudenca, duke pranuar ankimin e një pale e cila nuk përbën as minorancë në PD, por i ka shërbyer gjatë gjithë kësaj kohe vetëm një qëllimi, përpjekjes së Edi Ramës që të mos ketë përballë opozitën e vërtetë”.

Pas tij nga selia e Partisë zoti Berisha po ashtu tha se “tre gjykatës në një proces të pashembullt kundër pluralizmit lexuan vendimin e përgatitur kohë më parë në zyrën e Edi Ramës”. Duke akuzuar trupën gjykuese, zoti Berisha u shpreh se grupimi tjetër e kishte pranuar në sallë se nuk kishte qenë palë në proces. “Çdo gjykatës me integritetin minimal, kur pala tjetër deklaronte se nuk ishte palë në këtë proces, mbyllte procesin dhe nuk vazhdonte më tutje, por ata kishin në sirtar vendimin e shkruar në zyrën e Edi Ramës për të ndëshkuar opozitën politike”, u shreh ai.

Zoti Berisha iu drejtua më pas me një thirrje “anëtarëve dhe simpatizantë të PD-së të ngrihen në lartësinë e tyre të misionit historik, misionit të shpëtimi të pluralizmit, demokracisë, të shoqërisë shqiptare dhe Shqipërisë. Çdo shqiptar, sot më shumë se kurrë pret nga guximi ynë, qëndrimi ynë realizimin e këtij misioni”, deklaroi ai duke njoftuar se në ditët e ardhshme do të mblidhen forumet e partisë dhe “mbi bazën e këtij qëndrimi armiqësor, asgjësues të shpallur nga narkoshteti dhe Edi Rama, do të marrë të gjitha vendimet e duhura për të vazhduar misionin e saj në mënyrën më të fuqishme”./zeri i amerikes

ME TE LEXUARAT