Vengu i kalon stafetën e Mbrojtjes Nufit: S’e përjetoj si largim nga misioni i sigurisë kombëtare, Shqipëria në duar të sigurta

Pirro Vengu po mban ceremoninë e kalimit të stafetës si ministër i Mbrojtjes te Ermal Nufi.
Ta dini se kalimi im me kohë të plotë si deputet i Vlorës, nuk e përjetoj si largim nga misioni i sigurisë kombëtare, përkundrazi, siguria mbrohet në tryeza të tjera.
Në detyrën e re plot mirënjohje për mbështetjen nga kryeministri Rama, do ta mbaj gjithmonë me vete frymën e kësaj ministrie.
Puna me njerëzit me uniformë më ka mësuar përulësinë duke treguar se autoriteti nuk buron nga zëri i lartë, por nga përgjegjësia e heshtur. Më ka mësuar vetëpërmbajtjen në raport me bindjen e të vërtetave absolute.
Lufta është gjithmonë tragjedi, por përgatitja është e domosdoshme sepse për të ndalur armët, duhen armë dhe këtu qëndron pesha. Kjo ministri e di shumë mirë çmimin e përgjegjësisë. Pas çdo uniforme ka një histori dhe pas çdo plage ka një qenie njerëzore që meriton të dëgjohet.
Kam fatin t’ia dorëzoj stafetën një miku dhe bashkatdhetari të mirë. Institucioni është i fortë, Shqipëria është në duar të sigurta dhe misioni vazhdon. Këtë ministri e lë me shumë respekt, misionin e vazhdoj me të njëjtin përkushtim. Faleminderit për besimin!”, tha Vengu./Shqiptarja


